Lajme

Shala për incidentin në veri: Lista Serbe po e shfrytëzon rastin të kthehet në zgjedhje

04/12/2023 18:01
nga:Astrit Gashi

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala, ka deklaruar se Lista Serbe, po e shfrytëzon incidentin në veri ku mbeti i plagosur rëndë një qytetar i nacionalitet serb, për të marrë pjesë në zgjedhjet komunale.

“Lista Serbe po tenton që përmes këtij rasti që ka ndodhur ta prolongoj çështjen e mbajtës së zgjedhjeve dhe të kthehet në lojë të marrë pjesë në zgjedhje”, tha ai në RTV Dukagjini.

Shala tha se reagimi i policëve në atë rast ka qenë i arsyeshëm dhe se sipas tij personi i plagosur ka të kaluar kriminale.

“Personi i plagosur ka precedentë kriminal, ka të kaluar kriminale, dhe policët e Kosovës kanë vepruar në bazë të elementeve të arsyeshme, ka qenë reagim për çështje të sigurisë”, ka thënë ai.

Sipas tij policët nuk e kanë pasur për qëllim ta vrasin atë por vetëm ta neutralizojnë sulmin e tij, për shkak të mos ndaljes kur i është dhënë urdhër nga policia.

“Janë shkrepur vetëm dy plumba, në drejtim të tij, kjo tregon që policët nuk e kanë pasur për qëllim ta vrasin, por vetëm ta neutralizojnë sulmin që është bërë në drejtim të postbllokut”, ka thënë ai.