Lajme

KFOR-i pret zbatim të marrëveshjes së Ohrit nga Kosova e Serbia

04/12/2023 17:21
nga:Astrit Gashi

Normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë ka rol kyç për stabilitet në rajon.

Madje, marrëveshja e fundit në Ohër mes Kosovës dhe Serbisë duhet të zbatohet sa më shpejtë që është e mundur.

Kështu, thuhet në një përgjigje të misionit të KFOR-it për Front Online.

“Progresi në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është kyç për sigurinë e qëndrueshme në Kosovë dhe stabilitetin rajonal. KFOR-i mirëpret marrëveshjet e fundit të ndërmjetësuara nga BE-ja në këtë drejtim dhe inkurajon të dyja palët të zbatojnë detyrimet e tyre sa më shpejt të jetë e mundur”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it.

Kurse, sa i përket incidentit në Zveçan ku mbeti i plagosur një pjesëtar i komunitetit serb, nga KFOR-i kanë thënë se duhet të ketë hetim të plotë.

Derisa, përgjegjësit duhet të vihen para drejtësisë.

“Misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO dënon incidentin e së hënës mbrëma ku një serb i Kosovës u plagos me armë zjarri në komunën e Zveçanit. KFOR-i pret që institucionet në Kosovë të kryejnë një hetim të plotë të ngjarjeve dhe t’i mbajnë ata përgjegjës para drejtësisë”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it.

Ndërsa, sa i përket situatës së sigurisë në vend, thonë se janë duke vazhduar të monitorojnë situatën.

Krejt, kjo për të siguruar lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet.