Delegati i futbollit, Arben Zeqiri, është pezulluar nga Komisioni Disiplinor i FFK-së.
Sipas vendimit të Komisionit Disiplinor, të lëshuar të mërkurën, Zeqiri është pezulluar në saje të presionit ndaj gjyqtarit të ndeshjes, atje ku kishte kërkuar që të ndihmohet skuadra e grupmoshave të Dritës, transmeton GazetaBlic Sport.
“Delegati Arben Zeqiri në ndeshjen e xhiros së 21-të të Superligës së kadetëve, Drita – Ulpiana, sipas gjyqtarit të ndeshjes, ka kërkuar nga treshja e gjyqtarëve që të ndihmohet skuadra e Dritës, pasi i duhen pikët. Ai gjatë tërë takimit dhe në meslojë ka bërë presion ndaj gjyqtarëve së bashku me trajnerin vendas”, thuhet në vendimin për hapje të procedurës ndaj Arben Zeqirit.
Për më tepër ky delegat pas përfundimit të ndeshjes i është drejtuar gjyqtarit kryesor me fjalët: “bërllog e bane, a të thash të kesh kujdes se Dritës i nevojiten pikët”.
Zeqiri është pezulluar me mos ushtrim të detyrës zyrtare deri në kompletimin e lëndës, kurse ai vazhdon të jetë edhe opionionist i rregullt i sportit në Klan Kosova.
/GazetaBlic Sport/