Kanë mbetur më pak se dy javë para se të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme për katër komunat në veri të Kosovës.
Mirëpo analisti politik, Nexhmedin Spahiu, vlerëson se zgjedhjet duhet të shtyhen për një afat të pacaktuar derisa të pastrohet situata.
Ai ka thënë se është Lista Serbe ajo e cila do të provojë të pengojë që këto zgjedhje të mos mbahen në mënyrë të rregullt.
“Lista Serbe do t’i pengojë zgjedhjet. Nëse nuk merr pjesë, atëherë do ta pengojë mbarëvajtjen e zgjedhjeve dhe pritet një situatë e tensionuar me incidente të ndryshme”.
“Ajo që unë do të kisha sugjeruar është që të shtyhen zgjedhjet deri në një afat të pacaktuar deri sa të pastrohet situata sepse në veri janë ende të pranishme strukturat paralele dhe bandat kriminale të cilat operojnë aty”.
Sipas tij, pa pastrimin e terrenit në mënyrë që të mos ketë se kush të pengojë, nuk mund të mbahen zgjedhje normale.
I pyetur nëse Beogradi përmes Listës Serbe po e shkel marrëveshjen me Kosovën të arritur në Bruksel dhe në Ohër, Spahiu thotë se nuk mund të dokumentohet se Lista Serbe dirigjohet tërësisht nga Beogradi edhe pse dihet që është e varur prej saj./Klan Kosova/


