Lajme

AGK dënon ashpër sulmin ndaj Valon Sylës, kërkon hetime urgjente

04/12/2023 08:14
nga:Genita C

Gazetari njëherësh drejtuesi i Gazeta “Metro”, Valon Syla është sulmuar fizikisht, të hënën në mbrëmje nga tre persona, të cilët dyshohet se e kanë përcjellë atë nga studio e T7, ku ishte i ftuar në debat, deri në lagjen “Bregu i Diellit”, në Prishtinë.

Syla ka pranuar trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, teksa sipas deklaratave të tij të para për mediet, ka pësuar lëndime në kokë. Rasti është hapur në Policinë e Kosovës.

Ky sulm për Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës (AGK) është krejtësisht i papranueshëm dhe përpjekje serioze për të penguar dhe minuar lirinë e shprehjes dhe lirinë e medies në Kosovë.

“AGK-ja, u bënë thirrje institucioneve kompetente që të marrin masat e duhura që urgjentisht të arrestojnë personat përgjegjës për sulmin dhe që ata të vihen para drejtësisë”, thuhet në komunikatën e AGK.