Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka folur për procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
Haradinaj tha se është çuditur se pse nuk u është lejuar mbrojtja në liri këtyre të akuzuarve.
“Jam çuditur pse nuk janë lëshuar për t’u mbrojtur në liri sepse ka zgjatur shumë periudha e pritjes”, ka thënë Haradinaj në Rubikon.
Ai theksoi se pala mbrojtëse duhet t’ia dërgojë gjykatës disa argumente që pse dikush duhet të mbrohet në liri dhe, sipas tij, në mesin e tyre duhet të jetë garantimi se i akuzuari nuk do të ikë dhe ndonjë aspekt human.
“Gjykata i vlerëson katër argumente, e para që ti nuk ik, nuk zhdukesh, e dyta garanca, edhe ndonjë aspekt human, ndonjë interes njerëzor për shembull ke fëmijët e vegjël, e ke dikë sëmurë, zakonisht këto ndikojnë shumë, sidomos aspekti human ndihmon shumë”, ka shtuar ai.
Haradinaj tha se kur ishte duke u gjykuar në Hagë, për të kanë garantuar tre njerëz të mëdhenj.
“Unë herën e parë e kam pasur fatin se kisha tre aleatë në Kosovë presidentin Rugova, zotin Peterson edhe zëvendësambasadorin e UNMIK-ut. Këta të tre kanë ardhur në gjykatë kanë dhënë garancë që nëse lëshohet Haradinaj ne e marrim përsipër. Presidenti Rugova i ka dërguar letër gjykatës, zoti Peterson ka folur publikisht për integritetin tim”, është shprehur Haradinaj.
Sipas Haradinajt, për ish-krerët e UÇK-së do të duhej të dërgonin letër edhe presidentja, kryeministri, AKI e ministri i Punëve të Brendshme, e jo vetëm drejtori i policisë.
“Jo vetëm nga drejtori i policisë, por edhe nga ministri i Punëve të Brendshme, nga AKI, nga presidentja, kryeministri, pra në një letër të përbashkët, do të ishte kredibile. S’besoj se vetëm letra e drejtorit të policisë do të mjaftojë”, ka përfunduar ai.


