Lajme

Haradinaj për “Marshin për Drejtësi”: Veprime të tilla mund të bëjnë dëm

04/11/2023 21:15
nga:Astrit Gashi

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka folur për procesin gjyqësor që ka nisur në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, të cilët po akuzohen për krime lufte.

Ai tha se beson shumë në pafajësinë e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Por në një moment, ish-kryeministri Haradinaj foli edhe për Marshin për Drejtësi që u organizua të dielën e kaluar nga platforma “Liria ka emër”.

Sipas tij, veprime të tille mund të bëjnë dëm në procesin gjyqësor dhe nuk kanë ndikim pozitiv. Deklarata e tij vjen, pavarësisht se deputetët e partisë që ai e udhëheq janë parë në sheshet e Prishtinës pikërisht në atë marsh ku kanë kërkuar drejtësi për ish-krerët e UÇK-së.

“Besoj shumë në pafajësinë e bashkëluftëtarëve tanë. Nuk mendoj se veprimet si Marshi për Drejtësi kanë ndikim pozitiv, mund të bëjnë dëm”, tha ai në Klan Kosova.

Mes tjerash, ligjvënësi opozitar theksoi se nëse është e vërtetë se provat që dorëzohen në Speciale e që vinë nga Serbia, atëherë sipas tij, “ky është avantazh për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së”.