Ndonëse janë pajtuar në Bruksel e më pas në Ohër për planin evropian, pala serbe duket se nuk ka qëllim zbatimin e tij.
Pa nënshkrim por ligjërisht e obligueshme u tha nga ana e BE-së se është Marrëveshja e Ohrit, por ndryshe mendon presidenti serb, Aleksandër Vuçiq.
Ai thotë se nuk do ta zbatojë në tërësi atë.
Lidhur me këtë, analisti politik, Gazmir Raci, thotë për Gazeta Blic se palët janë pajtuar për planin evropian dhe se dokumenti është obligues dhe për Serbinë.
“Kosova dhe Serbia janë marrë vesh për planin franko gjerman. Tashmë ky dokument është obligues edhe për Serbinë, sepse kapitulli 35 e merr në përgjegjësi shtetin serb për zbatimin e të gjitha obligimeve”, vlerëson ai.
Sipas Racit, nëse Serbia vazhdon ta sabotojë zbatimin, duhet të penalizohet dhe se Gjermania e Franca si garantuese të planit duhet t’ia bëjnë të qartë Serbisë është e obliguar t’i zbatojë obligimet.
“Andaj nëse Serbia vazhdon ta sabotojë zbatimin, atëherë ajo do të penalizohet në rrugëtimin e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe në këtë rast, Gjermani dhe Franca si garantuese të këtij plani, duhet të ja bëjnë të qartë shtetit serb se duhet zbatuar të gjitha obligimet që kanë dalë nga Brukseli deri tani”, deklaron Raci./Gazeta Blic/


