Klubet më të mëdha të Europës janë vendosur në garë për shërbimet e talentit të Borussia Dortmund, Jude Bellingham. Ky i fundit është shënjestruar mbi të gjitha nga Real Madrid dhe Liverpool duke qenë se me fanellën e verdhezinjve, por edhe me kombëtaren e Anglisë është shndërruar në aktor protagonist.
Megjithatë, ka edhe nga ata që nuk besojnë se 19-vjeçari do të shkëlqejë në një klub të madh si Reali apo Liverpooli. Është pikërisht një ish-lojtar i anglezëve si Didi Hamann ai i cili thekson se Bellingham te Dortmund ka lirshmërinë për të bërë çfarë do në fushë, ndryshe nga sa mund të ndodhë te Reali apo Liverpooli.
“Nuk jam shumë i sigurt për Bellingham, është një talent i jashtëzakonshëm me aftësi të mëdha. Por, ajo që më duket sikur i mungon është disiplina. Nëse sheh golat që ka pësuar Dortmund së fundmi, mund të them se pesë apo gjashtë prej tyre kanë ardhur si pasojë e gabimeve të Bellingham.
Nëse kërkon të luaj me një klub si Real Madrid apo Liverpool, do t’i duhet të ndryshojë sjellje. Te Dortmund ka lirshmërinë dhe bën çfarë të dojë në fushë, askush nuk i flet sepse kanë frikë se mos mërzitet. Nëse do të isha pjesë e Real apo Liverpool, do të mendohesha dy herë për të firmosur me Bellingham”, u shpreh Hamann.


