Skuadra e Dukagjinit mori një fitore të madhe në stadiumin “Fadil Vokrri” ndaj Prishtinës në vikend me rezultatin 1:2. Klubi nga Klina zhvilloi një paraqitje të mirë dhe doli me pikët e plota nga terreni i ekipit nga kryeqytetit.
Më i miri i ndeshjes padyshim se ishte Kenan Haxhihamza, portieri i Dukagjinit – i cili bëri disa pritje fantastike në këtë ballafaqim, shkruan GazetaBlic Sport.
Haxhihamza thekson se është tejet i lumtur me formën aktuale, si personale ashtu edhe ekipore që po kalojnë.
“Jam i lumtur për formën, kam pritur dhe jam përgatitur për këto momente, shpresojë të zgjasin sa më shumë, sepse vetëm kështu i kryej punë ekipit, po edhe vetës në vazhdimësi të karrierës”, tha fillimisht Kenan Haxhihamza për ‘GazetaBlic Sport’.
Portieri i Dukagjinit shpreson që kjo formë e mirë të vazhdojë tek klubi dhe në fund të jenë sa më lartë në tabelë.
“Kemi treguar se dijmë të fitojmë lojë të rëndësishme, edhe pse jemi ngjitur në tabelë akoma asgjë nuk është e sigurt, vetëm se forma e mirë shpresoj që të zgjasë sa më shumë, pastaj në finish të kampionatit ta shohim veten sa më lartë”, përfundoi ai.
Skuadra e Dukagjinit ndodhet në pozitën e gjashtë me 38 pikë.
/GazetaBlic Sport


