Drilon Islami është padyshim një nga lojtarët më të mirë të Ferizajt në sezonin pranveror të Superligës së Kosovës.
Klubi i Ferizajit dje ka fituar ndaj Gjilanit me rezultatin 2-0, duke marrë kështu tre pikë shumë me rëndësi, shkruan GazetaBlic Sport.
Islami thotë se skuadra është në rrugën e duhur dhe shpreson se do ta arrijnë objektivin, që është mbetja në elitë edhe për sezonin e ardhshëm.
“Ekipa është duke ecur në rrugën e duhur, kemi edhe tetë finale për t’i zhvilluar dhe jemi optimist për mbetjen në ligë. Unë në këtë ekip po ndihem mjaft mirë dhe jam ambientuar me ekipën dhe bashkëlojtarët, shpresojë të vazhdojmë me këtë ritëm”, tha Drilon Islami për ‘GazetaBlic Sport’.
Ai potencon se gara nuk do jetë e lehtë – por është optimist se do ia dalin.
“Do të jetë vështirë deri në fund, por besoj se do të arrijmë objektivin tonë, mbetjen në ligë”, vazhdoi ai.
Në fund, futbollisti i talentuar theksoi se tek Ferizaji kushtet janë perfekt, gjë që i motivon të vazhdojnë të punojnë për synimin.
“Kushtet janë mjaft të mira nuk na mungon asgjë dhe atmosfera brenda në klub është shumë e mirë, andaj ne vazhdojmë synimin tonë”, përfundoi ai.
Kujtojmë se Ferizaj ndodhet në pozitën e shtatë me 31 pikë, një më shumë se Malisheva e Trepça 89′ që ndodhen më poshtë.
/GazetaBlic Sport


