Studiuesi i sigurisë, Armend Halimi, ka folur për kërcënimet e presidentit serb Vuçiq dhe Listës Serbe.
Ai thotë se nuk janë befasuese ato por që nuk duhet pasur tolerim nga bashkësia ndërkombëtare, e cila në vend se ta sanksionojë atë, po e privilegjon.
“Nga regjimi i tillë i Serbisë, me një pushtet të ideologjisë së viteve të 90-ta, sigurisht çdo deklaratë nuk është befasuese për ne, mirëpo, sa janë të realizueshme idetë dhe projektet e tyre varet krejtësisht nga tolerimi i bashkësisë ndërkombëtare, që realisht kjo e fundit në vend të sanksionimit për qëndrimin e Serbisë destabilizuese dhe kërcënuese e ka privilegjuar karshi Ballkanit, e posaçërisht Kosovës, andaj duke qenë kështu edhe do të ketë deklarata dhe kërcënime të tilla nga Serbia. E mira e gjithë kësaj është se Serbia është demaskuar falë politikës së Kosovës, çka edhe mbetet adresë e përgjegjësisë për çdo eskalim situate”, thotë ai për Gazeta Blic.
Ndërsa, lidhur me Listën Serbe, ai thotë se ajo është dorë e zgjatur e Serbisë në Kosovë.
“Sa për Listën Serbe, është ditur mirëfilli që ajo është dorë e zgjatur e Serbisë në Kosovë, dhe përkundër inkuadrimit të saj në institucione të Kosovës, ajo nuk ka mundur të distancohet nga direktivat dhe dirigjimi i Beogradit, andaj, me ngushtimin e fushëveprimit të saj, veç është vetë përjashtuar dhe sigurisht që gjen strehë në folenë e saj, pra pushtetin e Vuçiqit”, vlerëson Halimi.
Mirëpo, sipas tij, pavarësisht retorikës kërcënuese, ka mundësi minimale për agresion të hapur nda Kosovës,
“Por, një gjë dihet se pavarësisht retorikës kërcënuese, janë minimale mundësitë e një vendimi për agresion të hapur ndaj Kosovës, vetëm nëse zhvillimet e luftës në Ukrainë japin avantazh Rusisë, ndryshe në këto rrethana, pra të një aleati të lodhur të Serbisë, siç është Rusia, shteti serb në pamundësi të një sulmi ushtarak të hapur, mund të organizojë, nxitë dhe përkrahë sulme terroriste në Kosovë, duke mos përjashtuar as etninë serbe, të cilët zgjedhin të jenë lojal ndaj shtetit ku jetojnë, pra Kosovës”, deklaron Armend Halimi./Gazeta Blic/


