Lajme

“Jugosllavia përjetoi debakël nga Beteja e Koshares”

04/09/2023 20:36
nga:G B

Pak kohë pas përfundimit të një prej betejave më të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hisen Berisha, po rrëfen atë që ndodhi.

24 vjet pas, ai flet edhe me më shumë krenari.

“Kosharja është debakli dhe thyerja më e madhe që ka përjetuar Jugosllavia dhe ushtria serbe që prej betejës së Kosovës”, thotë Hisen Berisha, ish-komandant.

Ish-komandanti i Brigadës 138 “Agim Ramadani”, tregon se mes prillit dhe qershorit 1999, përjetoi shumë ditë lavdie.

Ndër to, ai kujton 11 prillin, kur UÇK-ja mori nën kontroll kazermën e ish-Jugosllavisë.

“Një oficer i Shqipërisë ma dha flamurin kombëtar, do të thotë të kazermës kufitare të Shqipërisë në Badesh, tha ju duhet për kazermën e Jugosllavisë që po e merrnim ne tani. Dhe unë e kisha atë flamur dhe ma panë disa luftëtarë, Besnik Jasiqi që është dëshmor dhe Blerim Cufaj e mbaj mend, ka qenë koordinator për artileri dhe thanë po e ngrinim flamurin. E ngritëm flamurin dhe Agim Ramadani më tha mua, sepse e kam pas zërin më të fuqishëm për komandim, tha komando shqip për herë të parë në kazermat e ish-Jugosllavisë më duar të UÇK-së”, shton Berisha.

Mirëpo, në këta tre muaj, Berisha thotë se me bashkëluftëtarë përjetuan edhe momente të rënda.

“Sali Çeku e kishte marrë komandën në rrasë të Koshares dhe pasdite dikur kah ora 3 – 4 edhe veterani më ik nga komunikimi dhe një ditë nuk kam arritë me shku fare se kanë qenë luftime të mëdha, tendenca për ta marrë trupin e Salihut dhe pas dy dite kur kam shku në komandë, i kam gjetë vetëm Rrustemin dhe Antonin. Kjo ka qenë një moment shumë prekës, shumë dëshpërues, se brenda dy ditëve e kam marrë vesh që kanë vdek dy kolos të mëdhenj, dy njerëz të mëdhenj”.

Për luftimet e ashpëra me forcat serbe, tregon edhe Safet Guri.

“Gjatë natës tenkat serbe u afruan, diku tri tenka sipas zingjirëve që i dëgjonim ne, u afruan shumë afër këtu dhe gjujshin në pozicionet tona, sa që mendoja që nuk do të mbesë asnjë i gjallë, sa shumë gjujshin. Mirëpo nuk patën sukses natën, mandej në mëngjes forcat tona i kanë sulmu dhe i kanë dëbu dhe kurrë më tenkat e Serbisë nuk kanë mujtë me ardhë këtu”, thotë Safet Guri – Veteran i UÇK-së.

Në nderim të 114 dëshmorëve të rënë, në Koshare janë ngritur këto shtylla.