Kievi zyrtar pretendon se dokumentet që u shfaqën në internet, të cilat thuhet se zbulojnë detaje të ndihmës amerikane, janë pjesë e një fushate ruse të dezinformimit.
Departamenti Amerikan i Drejtësisë nisi një hetim të premten mbi rrjedhjen e mundshme të dokumenteve të Pentagonit në disa platforma të mediave sociale që duket se detajojnë ndihmën e SHBA dhe NATO-s për Ukrainën.
“Ne jemi në komunikim me Departamentin e Mbrojtjes në lidhje me këtë çështje dhe kemi filluar një hetim. Ne refuzojmë komente të mëtejshme,” tha të premten një zëdhënës i Departamentit të Drejtësisë, përcjellë GazetaBlic.
Zëdhënësja e Pentagonit Sabrina Singh tha gjithashtu se një rishikim i brendshëm është në vazhdim.
Duke folur në kushte anonimiteti, tre zyrtarë amerikanë i thanë agjencisë së lajmeve Reuters se Rusia ose elemente pro-ruse ka të ngjarë të qëndronin pas rrjedhjes.
Dokumentet janë të datës 23 shkurt 2023 deri më 1 mars 2023. Ato vlerësohen si të klasifikuara.
Dokumentet duket se detajojnë dërgesat e armëve dhe pajisjeve të tjera që shkojnë në Ukrainë me afate kohore më të sakta sesa që i ofron SHBA-ja në përgjithësi publikisht.
Por zyrtarët amerikanë, duke folur në kushte anonimiteti, i thanë Reuters se dokumentet dukej se ishin ndryshuar për të minimizuar numrin e viktimave ruse, sipas vlerësimit të tyre jozyrtar të ndarë nga hetimi zyrtar për rrjedhjen.
Një dokument i postuar në mediat sociale citonte 16,000 deri në 17,500 viktima ruse që nga pushtimi i Ukrainës më 24 shkurt 2022. Autoritetet amerikane kishin vendosur më parë shifrën në rreth 200,000 rusë të vrarë dhe të plagosur.
Zyrtarët ukrainas gjithashtu hodhën poshtë idenë e kompromentimit të inteligjencës ushtarake.
“Është shumë e rëndësishme të kujtojmë se në dekadat e fundit operacionet më të suksesshme të shërbimeve speciale ruse u zhvilluan në Photoshop,” tha zëdhënësi i inteligjencës ushtarake ukrainase Andriy Yusov, përcjellë GazetaBlic.
“Nga një analizë paraprake e këtyre materialeve, ne shohim shifra të rreme, të shtrembëruara të humbjeve nga të dyja palët, me një pjesë të informacionit të mbledhur nga burime të hapura”, tha ai.
Këshilltari i presidentit ukrainas, Mykhailo Podolyak, tha se dokumentet përmbajnë “një sasi shumë të madhe informacioni fiktive” dhe i ngjajnë “një operacioni dezinformues rus për të mbjellë dyshime në lidhje me kundërsulmin e planifikuar të Ukrainës”, përcjellë GazetaBlic.


