Lajme

James Rubin viziton Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, por jo Kosovën dhe Serbinë

04/08/2023 08:56
nga:Astrit Gashi

I dërguari i posaçëm i SHBA-së dhe koordinatori i Qendrës për çështje me rëndësi globale, James P. Rubin do të vizitojë Podgoricën, Shkupin dhe Tiranën nga 10 deri më 14 prill, njoftoi Departamenti i Shtetit, përcjellë GazetaBlic.

Në Podgoricë dhe Shkup, Rubin do të takohet me zyrtarë qeveritarë për të përforcuar mbështetjen për nismat kundër dezinformimit.

“Ata do të diskutojnë përpjekjet e Rusisë, Kinës dhe aktorëve të tjerë keqdashës që përdorin dezinformimin për të minuar demokracinë dhe sigurinë kombëtare në mbarë botën, dhe se si kombet tona mund të kundërshtojnë së bashku kërcënimet në hapësirën e informacionit”, thuhet në deklaratë.
Gjatë qëndrimit në Tiranë, i dërguari i posaçëm do të marrë pjesë në një takim me ambasadorët amerikanë në Ballkanin Perëndimor.

James P. Rubin është emëruar në dhjetor të vitit të kaluar në këtë detyrë nga sekretari i Shtetit Anthony Blinken.

Ai shërbeu si Ndihmës Sekretar i Shtetit për Çështjet Publike dhe zëdhënës kryesor i Sekretares së Shtetit, Madeleine Albright.
Në vitin 1999 ishte negociator special për të siguruar demobilizimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.