Dokumentet sekrete të luftës që detajojnë planet e Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s për të forcuar ushtrinë ukrainase përpara një ofensive të planifikuar kundër forcave ruse u publikuan në mediat sociale këtë javë, konfirmuan për New York Times zyrtarë të lartë në administratën e presidentit amerikan Joe Biden, përcjellë GazetaBlic.
Pentagoni po heton se kush qëndron pas dokumenteve të zbuluara që u shfaqën në Twitter dhe Telegram, një aplikacion me më shumë se 500 milionë përdorues që përdoret gjerësisht në Rusi.
Analistët thonë se dokumentet duket se janë modifikuar nga formati i tyre origjinal.
Në versionet e zbuluara të dokumenteve, vlerësimet amerikane për viktimat e Ukrainës janë të ekzagjeruara dhe ato ruse janë të nënvlerësuara, sipas analistëve të intervistuar nga New York Times.
Ndryshimet tregojnë për një përpjekje të mundshme për të përhapur dezinformimin e drejtuar nga Moska.
Megjithatë, publikimi i një pjese të dokumenteve origjinale, të cilat përfshijnë fotografi të qyteteve, të dërgesave të pritshme të armëve, vlerësime të fuqisë së batalioneve dhe plane të tjera, paraqesin një shkelje të konsiderueshme të sigurisë nga shërbimet e inteligjencës amerikane, shkruan gazeta.
Zyrtarët e administratës Biden po punojnë për largimin e dokumenteve nga mediat sociale, por që nga mbrëmja e së enjtes vonë, ata nuk ia kishin dalë plotësisht.
“Ne jemi në dijeni të raporteve të dokumenteve në mediat sociale dhe Pentagoni po zhvillon hetime”, tha zëdhënësja e Pentagonit Sabrina Singh për New York Times, përcjellë GazetaBlic.
Nuk ka plane konkrete beteje në dokumente që do të tregonin se si, kur dhe ku planifikojnë ukrainasit të nisin ofensivën e tyre, për të cilën zyrtarët amerikanë thonë se është “e mundshme” në muajin e ardhshëm.
Dokumentet, shkruan gazeta amerikane, janë rreth pesë javë të vjetra, kështu që ato ofrojnë një pamje amerikane dhe ukrainase të ofensivës që daton rreth 1 marsit, domethënë ofrojnë një pasqyrë të asaj që mund t’u duhet ukrainasve për ofensivën e ardhshme.


