Lajme

Pas debatit të ashpër me deputetet e opozitës, Bislimi largohet nga Komisioni për Punë të Jashtme

04/06/2023 11:05
nga:Astrit Gashi

Zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi ka raportuar të enjten para Komisionit për Punë të Jashtme, teksa para pak minutash është larguar nga salla.

Ai pati një debat goxha të ashpër me deputetet e opozitës, konkretisht me deputetet Ariana Musliu-Shoshi nga PDK-ja dhe Doarsa Kica-Xhelili prej LDK-së.

Bislimi teksa po fliste për procesin e dialogut Kosovë-Serbi, iu drejtua ligjvënëses Shoshi duke i thënë se ajo po rri në telefon e mbase “po merr instruksione”.

“Se përfundova ende, unë thashë, po ju po refuzoni se po rrini në telefon, a po merrni instruksione apo nuk e di”, tha Bislimi gjatë ditës së sotme, për çka mori një përgjigje nga Musliu.

“Jo instruksione, por çka po thu ti po t’i përgënjeshtroj”, ia ktheu Musliu.

Megjithatë, Bislimi vazhdoi duke thënë se “dakordimi në Bruksel është që te pika 10 të evidentohen cilat marrëveshje janë të tejkaluara”.

“Por thashe se duhet ta kuptoni se nuk hyn në automatizëm në zbatim. Nenet nuk hynë me automatizëm në zbatim. Në moment që hyn atëherë flasim”, tha ai teksa e përfundoi raportimin dhe u largua nga salla e komisionit.

Më pas, deputetja Musliu-Shoshi u shpreh se Bislimi u lëshua në gënjeshtra, teksa përmendi një deklaratë të kryesuesit të Komisionit qeveritar për personat e zhdukur, Andin Hoti.

“Kur i mungon argumentet, lëshohet në gënjeshtra. Andin Hoti ka thënë që nuk i ka informatat sa i përket të drejtave të njeriut, sepse ato i keni ju dhe nuk ia delegoni atij. Pastaj, më 14 mars ne e kemi dërguar kërkesën, por ti e ke refuzu, sepse nuk je i përgjegjshëm”, ka deklaruar Shoshi.