Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pak ditë më parë ka njoftuar se tashmë janë bërë nënshkrimet e nevojshme për të ngritur një rezolutë të re në Këshillin e Evropës, që do të jetë rezolutë mbi atë të vitit 2011, të senatorit Dick Marty që kishte akuzuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës për trafikim organesh në Shqipëri e Kosovë. Por, çfarë ndodhë nëse kjo kalon?
Lidhur me këtë çështje GazetaBlic ka kontaktuar me njohësin e çështjeve juridike, Jusuf Zejnelin nga Tetova, i cili thotë se rezoluta kundër Dick Martyt dhe votat e mbledhura për të do të kenë efekt.
Zejneli këtë e sheh si hap të vonuar, por të duhur.
“Rezoluta e miratuar në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, për të kundërshtuar raportin e Dick Martyt përkatësisht Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, edhe pse është e vonuar, ajo do të ketë efektin e saj”, tha Zejneli.
Zejneli shtoi se, efekti i kësaj Rezolute do të jetë në dy kahje, duke afrimuar faktin që lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë.
Sipas Zejneli, Rezoluta kundër Dick Martyt mund të ndikon edhe në senzibilizimin e tërësishëm të Këshillit të Evropës dhe gjithë të përfshirëve, për qëndrim të drejtë ndaj këtij procesi, duke përfshirë mundësinë e rishikimit dhe rivlerësimit të Rezolutës së Këshillit Evropian.
“Efekti i Rezolutës pritet të jetë në dy kahje, e para për të afirmuar faktin se lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë respektivisht afirmohet aspekti etik, moral i këtij procesi dhe e dyta është se kjo Rezolutë e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë mund të ndikon edhe në senzibilizimin e tërësishëm të Këshillit të Evropës dhe gjithë të përfshirëve, për qëndrim të drejt ndaj këtij procesi, duke përfshirë mundësinë e rishikimit dhe rivlerësimit të Rezolutës së Këshillit Evropian. Pra, edhe pse e vonuar, duhet mbështetur nisma e Republikës së shqipërisë, duke pasuar edhe procesi i lobimit me të gjith partnerët, me argumente bindëse”, tha Zejneli për GazetaBlic.
Ndryshe, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në momentin kur deklaroi se janë mbledhur nënshkrimet në KiE kundër rezolutës së Dick Martyt, tha se nuk ka forcë që mund ta damkosë luftën çlirimtare në Kosovë.
“I mblodhëm më në fund firmat në asamblenë e Këshillit të Evropës për mocionin për një rezolutë të re mbi rezolutën e vitit 2011, ku pa asnjë fakt u ngritën akuzat e tmerrshme ndaj Ushtrisë së lavdishme Çlirimtare të Kosovës për trafikun e organeve njerëzore në Shqipëri e Kosovë”, ka shkruar kryeministri Rama në Facebook.
“Rruga e Drejtësisë për Kosovën, gjakun e derdhur për liri, dëshmorët e UÇK-së dhe heronjtë e saj të gjallë sot në Hagë, do të jetë e gjatë, e mundimshme, madje edhe fyese deri në palcë, por drejtësia do të triumfojë në fund fare, sepse s’ka forcë në botë që ta damkosë si kriminale një luftë çlirimtare”, ka deklaruar Rama.


