Lajme

Harta me Kosovën pjesë e Serbisë, reagon Edi Rama

04/05/2023 17:47
nga:G C

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka bërë një reagim lidhur me raportimet e sotme në media për hartën që shfaqte Kosovën si pjesë të Serbisë e që u përdor në një prezantim të organizuar nga ministria e Turizmit të Shqipërisë.

Rama ka shkruar se prezantimi është bërë nga një kompani spanjolle, dhe se Spanja e ka ashtu hartën e Ballkanit.

“Kinse patriotët kanë gjetur punë sot duke u marrë me një hartë të prezantimit të presidentit të gjigandit spanjoll Melia Group në konventën e turizmit, ku mungonte Kosova! Dihet që Spanja ashtu e ka hartën e rajonit po asgjë e keqe s’i erdhi kombit nga dalja 1 minutë e asaj harte!”, ka shkruar Rama.

Kryeministri shqiptar tutje ka shkruar se Shqipëria s’është si Irani ku kontrollohen prezantimet dhe se organizimi i djeshëm s’ka qenë fushëbeteja diplomatike për njohjen e Kosovës nga Spanja.

“Shqipëria s’është Irani ku të ftuarve në konferenca ndërkombëtare u kontrollohen prezantimet dhe as konventa s’ishte sheshbeteja diplomatike për njohjen e Kosovës nga Spanja! E keqja kombit tonë i vjen bash nga ata që merren tërë ditën me kësi luftërash pa lidhje mes shqiptarësh!”, ka shkruar Edi Rama.