Lajme

Musa: Mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së jashtëzakonisht e fuqishme, të gjitha argumentat dhe provat janë në favor të tyre

04/04/2023 18:49
nga:Y I

Avokati kosovar, Skënder Musa, në një intervistë dhënë për “Gazeta Blic” ka deklaruar se mbrojtja ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka qenë jashtëzakonisht e fuqishme. 

Musa tha se të njëjtit kanë argumenta të mëdha të cilat duhet t’i shfrytëzojnë.

“Mbrojtja ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka qenë e fuqishme, ka argumenta jashtëzakonisht të mëdha, duhet t’i shfrytëzojë të gjitha argumentat dhe potencialet e tjera që ekzistojnë në favorin e saj. Mbrojtja ka një përparësi sa i përket këtij procesi gjyqësor se të akuzuarit janë jashtëzakonisht inteligjent, që e njohin terrenin, njerëz që janë marrë në mënyrë aktive me jetën politike dhe publike të Kosovës. Mbrojtja ka qenë në nivel të kënaqshëm, ka arrit me sfidu çdo provë, çdo indicje të ngritur nga Prokurori. Luftën më të madhe nga mbrojtja e pres në seancat e ardhshme, gjatë dëgjimit të dëshmitarëve dhe paraqitjes së provave” deklaroi Musa në një intervistë dhënë për “Gazeta Blic”

Ai tutje deklaroi se s’ka asnjë dyshim që të gjitha argumentat dhe provat janë në favor të të akuzuarve, për shkak se në Kosovë nuk ka patur krime lufte

“Eshtë mëse e vërtetë dhe pa fije dyshimi që të gjitha argumentat dhe  provat janë në favor të të akuzuarve për shkak se në Kosovë nuk ka patur krime lufte dhe nuk ka patur krime kundër njerëzimit.Në Kosovë nuk ka patur civilë të vrarë nga ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me urdhra nga lart, nuk ka patur depërtim të popullatës serbe, nuk ka patur shkatërrim të kulturës dhe objekteve fetare serbe ndërkaq ka qenë e kundërta nga ana e palës serbe. Ka patur depërtim të një milion qytetarëve nga territori i Kosovës, ka patur shkatërrim total të objekteve kulturore shqiptare ka patur shkatërrim të objekteve fetare. Gjithçka që ka qenë e lidhur me elementin shqiptar ka qenë objekt i sulmit të Ushtrisë dhe Policisë së Serbisë e dirigjuar direkt nga strukturat komanduese në Qeverinë e Serbisë, duke përfshirë edhe presidentin aktual serb Aleksandër Vuçiq i cili ka qenë zëdhënës i Qeverisë së Millosheviqit” deklaroi Musa për “Gazeta Blic”