Lajme

“Reja e zezë mbi Kosovën është hequr”- Fjalimi i plotë i Hashim Thaçit sot në Hagë

04/04/2023 18:10
nga:Genita C

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka mbajtur një fjalim në Hagë, në fund të fjalës së ekipit të tij mbrojtës, raporton GazetaBlic.

Thaçi tha se viktimat nuk marrin drejtësi kur të pafajshmit ndiqen, teksa shtoi se një padrejtësi nuk ndreqet nga një padrejtësi tjetër.

“Sot po nisim një rrugëtim së bashku, drejt së vërtetës dhe drejtësisë. E vërteta dhe drejtësia janë parime të çmuara për mua, ato janë gurthemeli i paqes. Ndjej keqardhje dhe dhimbje për të gjitha viktimat e kësaj lufte të tmerrshme. Viktimat nuk marrin drejtësi kur të pafajshmit ndiqen. Një padrejtësi nuk ndreqet nga një padrejtësi tjetër. Unë jam i pafajshëm për të gjitha këto akuza. Do të kem sukses për familjen time, për popullin tim dhe vendin tim. Rruga drejt lirisë ishte e gjatë dhe e vështirë. Unë isha student në Zvicër, i strehuar politik kur u masakrua familja Jashari. Edhe unë si shumë tjerë, u ktheva për të ndihmuar në vendin tim”, tha Thaçi.

“UÇK përbëhej nga njerëz të thjeshtë që përpiqeshin të mbronin shtëpitë, familjet dhe vendbanimet e tyre. Ata luftuan, dhe shumë vdiqën si heronj. Ky ishte çmimi i lirisë. Mijëra familje humbën më të dashurit tyre. Kundërshtarët tanë ishin policia dhe ushtria serbe të kalitur në fushatën e tyre në Bosnje. Si rezistenca paqësore dhe ajo e armatosur kishin të njëjtin synim, lirinë e demokracinë. Pa atë rezistencë, Kosova nuk do të ekzistonte fare. Qytetarët donin paqë, nuk donin luftë, lufta iu imponua”, shtoi Thaçi.

Ndër të tjerash, Thaçi deklaroi se Kosova dhe UÇK-ja ishin në anën e drejtë të historisë.

“Sot, unë jam i lumtur që populli i Kosovës jeton në një Kosovë të lirë, të pavarur dhe të bazuar në të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët ku sundon ligji. Kosova, është rrëfim suksesi. I nderuar trup gjykues gjatë këtij procesi gjyqësor do të udhëtojmë prapa në kohë e ngjarje që kanë ndodhur 25 vite më parë.U kërkoj të gjithë të keni parasysh se mbamendja 25 vjet më parë është e mjegulluar. Realiteti po ngatërrohet me opinione dhe agjenda të ndryshme, spekulimet po shndërrohen në fakte. Gjithashtu emocionet, motivet apo mllefet politike të secilit akterë politik s’duhet të kuptohen si fakte në këtë sallë. Kjo vlen edhe për disa botime apo opinione të pasluftës të ekzagjeruar apo të përshtatura te akterët e ndryshëm të luftës. Si në çdo shoqëri demokratike edhe tek ne jo çdo bashkëluftëtarë i luftës ka qenë edhe bashkudhëtarë apo bashkëmendimtarë në proceset politike të pasluftës”, deklaroi Thaçi.

Po ashtu Thaçi tha se në raste jo të pakta tek disa “ambiciet dhe interesat politike e egoja personale tejkalojnë të vërtetën dhe realitetin për UÇK-në dhe Kosovën”.

“Njerëzit mbajnë mend atë që duan të besojnë se është e vërtetë, por ne kemi një histori faktike të regjistruar në atë kohë dhe duhet të kthehemi tek ato dëshmi sepse ato do të zbulohet e vërteta. Më vie keq që nuk do të kemi mundësinë t’i dëgjojmë në këtë gjykatë, të dëshmojë ish-sekretarja e shtetit Madeleine Albright, ish ambasadori Richard Holbrooke, të presidentit Ibrahim Rugova, të profesor Fehmi Aganit, të Adem Demaçit e liderëve të tjerë.Ata do të kishin dëshmuar në emrin tim për atë që kam thënë dhe kam bërë gjatë asaj kohe të rëndësishëm të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Jam i lumtur se shumë të tjerë si ata vendorë dhe ndërkombëtarë janë të gatshëm të dëshmojnë për pafajësinë time”,shtoi ai.

Thaçi gjithashtu tha se në Kosovë gjithmonë është mbështetur drejtësia.

“Ne besuam në vetën tonë për të qenë të lirë, por të gjithë e dinim se pa ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare në veçanti të SHBA-ve, s’do të mund të ishim kurrë të lirë dhe të pavarur. Në Kosovë gjithmonë kemi mbështetur drejtësinë dhe drejtësinë ndërkombëtare në veçanti”,theksoi ai
Ish-presidenti i vendit, Hashim Thaçi, gjatë fjalës së tij në deklaratën pa betim, theksoi se në momentin kur ka dalë raporti i ish-senatorit Dick Marty, ai ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare hetim të pavarur.

Thaçi tha se ishte bashkësia ndërkombëtare ajo që i ka thënë se një gjykatë e veçantë ishte thelbësore për ta hequr “renë e zezë të akuzave për trafik të organeve në Kosovë”, teksa shtoi se “kjo sakrifice ia ka vlejtur”.

“I nderuar trup gjykues. Kur raporti i Dick Martyt para 13 viteve mbushi titujt e mediave ndërkombëtare me akuza të sajuara për trafikim të organeve nga UÇK-ja dhe unë, unë menjëherë i kërkova bashkësisë ndërkombëtare të hetonte në mënyrë të pavarur. Bashkësia ndërkombëtare më tha se një gjykatë e veçantë ishte thelbësore për të hequr renë e zezë të akuzave për trafik të organeve në Kosovë. Bota tani e di, sot si rezultat i këtij procesi se nuk kishte trafik organesh dhe se shtëpia e verdhë nuk kanë ekzistuar kurrë. Tani e dinë se edhe unë edhe UÇK-ja, edhe populli i Kosovës dhe gjithë shqiptarë jemi shfajësuar nga këto akuza”,tha Thaçi.

“E vërteta është thënë dhe reja e zezë mbi Kosovën është hequr. Kjo sakrificë ia ka vlejtur. Unë pres të shfajësohem nga çdo akuzë tjetër deri në përfundim të këtij procesi”,shtoi ai.

/GazetaBlic/