Komisioni i Garave i Superligës dhe Ligës së Parë të FFK-së, në mbledhjen e vetë të mbajtur me datë: 04.04.2023, i ka dhënë fitoren me rezultat zyrtar skuadrës së Fushë Kosovës për ndeshjen e zhvilluar ndaj Ulpianës.
Në fakt, mysafirët triumfuan me rezultat 0 me 3, por Fushë Kosova parashtroi ankesë lidhur me aktivizimin e futbollistit Ardian Musliu tek skuadra e Ulpianës, shkruan GazetaBlic Sport.
Ai nuk kishte të drejtë loje, pasi që paraprakisht në javën e 19 është ndëshkuar me kartonin e katërt të verdhë dhe ka pasur detyrim që javën e 20 të mos aktivizohet në lojë (të pushojë), andaj edhe kjo ndeshje regjistrohet me rezultat zyrtar, 3-0.
V E N D I M
Miratohet si e bazuar – ankesa e KF “Fushë Kosova“ dhe ndeshja e javës së 20-të e Ligës së Parë– Grupi (B) ndërmjet KF “Fushë Kosova” dhe KF “Ulpiana” e përfunduar me rezultat 0:3 në fushë për KF “Ulpiana“, regjistrohet me rezultat zyrtar 3:0 në favor të KF “Fushë Kosova”.
Arsyetim
Komisioni i Garave në seancë e vet të mbajtur me datë 04.04.2023 ,me rastin e regjistrimit të ndeshjes KF “Fushë Kosova” – KF “Ulpiana“, e vlefshme për javën e 20-të të Ligës së Parë të Kosovës, Grupi (B), konstatoi se KF “Fushë-Kosova” ka ushtruar ankesë në parregullsinë e paraqitjes në këtë ndeshje të lojtarit të KF “Ulpiana“, Ardian Musliu –me nr . licence-2 dhe me ID-nr. 00174M97, për shkak se lojtari është aktivizuar pa të drejtë në lojë, pasi që paraprakisht në javën e 19 është ndëshkuar me kartonin e katërt të verdhë dhe ka pasur detyrim që javën e 20 të mos aktivizohet në lojë (të pushojë).
Gjatë administrimit të ankesës si dhe të gjitha shkresave në lëndë u konstatua se: Për Komisionin e Garave, sipas nenit 71, paragrafi 1 të Rregullores së Garave janë përmbush të gjitha kushtet për administrim dhe vendim marrje lidhur me ankesën. Komisioni i Garave pas shikimit të protokolleve zyrtare të ndeshjeve ka vërtetuar se lojtari i lart theksuar ka qenë i ndëshkuar me kartonë të verdhë, në javën e 12,14,17,dhe 19 dhe pa të drejtë është aktivizuar në javën e 20-të, kështu që ka bërë shkelje të nenit 56. Paragrafi 1 të Propozicionit të Garave – Lojtari i ndëshkuar me katër (4) kartonë të verdhë, pushon automatikisht xhiron e radhës, prandaj ankesa e KF “Fushë Kosova” miratohet si e bazuar dhe ndeshja e javës së 20-të KF “Fushë Kosova” – KF “Ulpiana“ regjistrohet me rezultat zyrtar 3:0 në favor të KF “Fushë Kosova“.
Nga theksimet e lartshënuara u vendos si në dispozitiv.
Këshillë juridike: Kundër këtij vendimi pala e pakënaqur mund të paraqesë ankesë Komisionit të Apelit të FFK-së shkalla e dytë, në afat prej 3 ditësh nga publikimi i këtij vendimi në faqen zyrtare të FFK-së apo datës të dërgimit në e-mailin zyrtar të klubit.
Kryetari i Komisionit të Garave
Abdyl Bellopoja
/GazetaBlic Sport/


