Ish-presidenti Hashim Thaçi ka mbajtur një deklaratë të shkurtër (pa betim) para Dhomave të Specializuara të Kosovës, me ç’rast ka mohuar të gjithë akuzat me të cilat e ngarkon Zyra e Prokurorit të Specializuar.
Thaçi ka thënë se i vjen keq për çdo viktimë që ka humbur jetën gjatë luftës, ndërsa ka theksuar se është i kënaqur që procesi e dëshmoi edhe njëherë se nuk ka pasur trafikim organesh e Shtëpi të Verdhë.
“Jam i kënaqur që procesi e ka dëshmuar edhe njëherë se nuk ka pasur trafikim organesh e shtëpi të verdhë. Kosovës i është hequr reja e zezë të cilën ia kishte vënë Raporti i Martyt”, ka thënë Thaçi,Pas deklaratave hyrëse të mbrojtjes, Thaçi ka marrë fjalën në sallën ku po mbahet gjyqi ndaj tij dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së.
Hashim Thaçi dhe shteti i Kosovës është shfajësuar njëherë tashmë, sipas Thaçit, për vetë arsyen që e krijoi këtë gjykatë, raporti i senatorit Dick Marty, nga i cili nuk ka dalë asnjë fakt dhe asnjë e vërtetë, dhe tash pret të shfajësohet edhe nga të gjitha akuzat tjera përballë ZPS-së.


