Sporti

Tek FC Vushtrria optimist për ndeshjen e Kupës ndaj Prishtinës, Rama: Me ndihmën e tifozëve mund t’ia dalim

04/04/2023 11:34
nga:Mergim Rreci

Të mërkurën do të zhvillohen ndeshjet e para gjysmëfinale të Kupës së Kosovës në futboll.

Fituesi i këtij kompeticioni nga viti i kaluar, Llapi, do të jetë nikoqir i Gjilanit, transmeton GazetaBlic Sport.

Ndeshja do të zhvillohet në stadiumin “Zahir Pajaziti” me fillim prej orës 15:00.

Në po të njëjtën orë do të zhvillohet edhe takimi tjetër, mes Vushtrrisë dhe Prishtinës, sfidë kjo që zhvillohet në stadiumin “Ferki Aliu.

Futbollisti i skuadrës së Vushtrrisë, Landrit Rama tha për ‘GazetaBlic Sport’ se atmosfera brenda skuadrës është shumë e mirë dhe mezi po e presin këtë ndeshje.

“Atmosfera është shumë e mirë, lojtarët janë të motivuar dhe presim një paraqitje dinjitoze”, tha fillimisht Rama.

Rama tha se Prishtina është favorit, por që do të tentojnë të marrin rezultat sa më pozitiv në ndeshjen e parë në shtëpi.

“Dihet që Prishtina është një ekip i fortë dhe është favorit, por në ndeshjen e parë do të luajmë në shtëpi dhe do të mundohemi të marrim rezultat pozitiv. Besojmë që me angazhim dhe me përkrahjen e tifozëve mundemi t’ia dalim”, përfundoi Rama.

Kujtojmë që Vushtrria momentalisht është në pozitën e 3-të në Grupin B të Ligës së Parë, kurse Prishtina renditet e katërta në Superligën e Kosovës.

/GazetaBlic Sport/