Profesori i së Drejtës Kushtetuese, Mazllum Baraliu, theksoi se opozita në Kosovë si dhe opinioni publik kundërshtojnë formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe shtoi se propozimi evropian u jep serbëve në Kosovë autonomi, e cila, sipas tij, është shumë më tepër se ajo që ishte parapara në marrëveshjet në Bruksel nga viti 2013 dhe në vitin 2015, raporton GazetaBlic.
Baraliu tha për Kosova Online se kryeministri i Kosovës Albin Kurti po fajësohet për lëshimin, sepse ai e ka pranuar Asociacionin.
“Ajo që thotë opozita është më së shumti qëndrim i opinionit publik. Tani atmosfera është e tillë që kryeministri fajësohet për një lëshim, sepse lejoi që zbatimi i Asociacionit të Komunave Serbe të jetë çështje qendrore e aneksit”, tha Baraliu.
Baraliu theksoi se në Kosovë ka një qëndrim të vazhdueshëm kundër Asociacionit dhe se në seancën e Kuvendit partitë opozitare kanë kritikuar Kurtin dhe kanë kundërshtuar qëndrimin se ai duhet të pranojë jo vetëm Asociacionin, por sipas tyre edhe më shumë se kaq.
“Fatkeqësisht, teksti i planit evropian është i paqartë, është një përpilim thjesht diplomatik i një dokumenti që nuk mund të interpretohet në të gjitha detajet. Por është e qartë se ka më shumë se Asociacioni, sepse në dy nene të Asociacionit Marrëveshja dhe plani plotësues i zbatimit ka dispozita ku theksohet vetëvendosja, kështu që është e qartë se në tekst ka diçka më shumë nga ajo që ishte paraparë për Asociacionin në dy marrëveshjet e mëparshme të vitit 2013 dhe 2015”, theksoi Baraliu.
Sipas tij, edhe pse Kurti thotë se nuk kishte zgjidhje tjetër pos ta pranojë planin evropian, opozita në Kosovë është shumë e vendosur që të mos e pranojë atë plan.
Siç ka thënë ai, opozita është e pakënaqur edhe me statutin që ka marrë Kisha Ortodokse Serbe përmes propozimit evropian.
“Qendra e planit është Asociacioni, por jo vetëm kaq. Ai përmban një aspekt që ka të bëjë me statusin e Kishës Ortodokse Serbe, prandaj në Kosovë ka pakënaqësi, jo vetëm në opozitë, por edhe në opinion”, tha Baraliu.
Baraliu beson se në planin evropian nuk ka njohje të pavarësisë së Kosovës nga Serbia.
“Sipas këtij teksti del se po i kthehemi fillimit, kështu është interpretuar nga opozita. Nuk ka asnjë progres, Serbia në Kushtetutën e saj e ka Kosovën si pjesë integrale të vendit dhe mund ta përdorë këtë”, thotë Baraliu.
Ai shtoi se negociatat po sillen vërdallë dhe se nuk sheh qëndrim serioz të asnjë pale për të shkuar më tej, dhe theksoi se bashkësia ndërkombëtare po përpiqet të bëjë një lëvizje për shkak të situatës gjeostrategjike.
“Bashkësia ndërkombëtare po shkon drejt organizimit të dialogut në drejtim të zgjidhjes së disa çështjeve që janë në marrëveshjen kryesore dhe në aneksin shtesë, Kosovës i është dhënë detyra që brenda 30 ditëve të formojë një komision të përbashkët dhe ka shumë ndërthurje dhe shumë formulime të diskutueshme, sepse i gjithë plani është i përbërë nga pjesë që janë mjaft mekanike. Ka kërkesa nga të dyja palët, ka shumë kërkesa nga Serbia që u pranuan dhe sigurisht edhe Kosova kishte kërkesat e veta.Tani Asnjëra palë nuk ka mundësi të ndalet dhe të refuzojë atë që ka pranuar”, tha Baraliu.
Siç theksoi ai, Kurti dhe Vuçiq nuk do ta kishin pranuar propozimin nëse do të kishin mundësi të refuzonin.
“Nuk shoh angazhim serioz, sepse secila palë ka arsyet e veta për të mos pranuar diçka, dhe komuniteti ndërkombëtar me këtë qasje edhe këtë herë ka gabuar, sidomos BE-ja, e cila vazhdimisht po bën gabime në Ballkan. Në këtë mënyrë nuk mund t’i detyrojë apo t’i bindë palët të bëjnë diçka “, tha Baraliu, përcjellë GazetaBlic.


