Lajme

Rexhaj: Akuzat e deputetit Muja janë të pavërteta

03/31/2023 19:43
nga:Astrit Gashi

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, dje përmes një postimi në Facebook ka bërë të ditur se ka dorëzuar kallëzim penal ndaj ish-Ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi si dhe ndaj ish-Drejtorit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, Ramiz Krasniqi dhe ish-anëtarëve të bordit, Musa Shabani, Festim Kutllovci, Azem Rexhaj, Kemajl Zeqiri, Avdi Konjuhi.

Ai është shprehur se të lartcekurit dyshohen që përmes mashtrimit dhe keqpërdorimit kanë shkelur Ligjin për Miniera dhe Minerale, sipas tij duke i dhënë Zonat e interesit të Ndërrmarrjes Trepça një investitori privat.

E këtyre akuzave në Klan Kosova u është kundërpërgjigjur Azem Rexhaj, ish-anëtar i bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, duke i quajtur të pavërteta.

“Në bazë të publikimit që deputeti Muja ka bërë, ai aty ka përmendur shumë të pavërteta, shumë shpifje, sepse në asnjë moment ish-bordi i KPMM nuk ka marrë asnjë vendim për lëshimin e ndonjë license në kuadër të zonave me interes të veçantë minerar” , u shpreh ai.

Tutje, Rexhaj u shpreh se ai nuk ka marrë ndonjë njoftim nga prokuroria.

“Në fakt unë nuk jam njoftuar nga prokuroria, gjithashtu nuk jam thirrur asnjëherë as nga kuvendi në këtë hetim të pretenduar që t’iu jap ndonjë mendim timin rreth pretendimeve të Mujës, por nga ajo që jam informuar është që ky ka protokoluar një kallëzim penal kundër ish-bordit të KPMM-së, drejtorit dhe ish-Ministrit Tregtisë dhe Industrisë. Pra, siç e thash edhe në fillim, akuzat e z.Muja janë të pavërteta”, u shpreh tutje ai.