Bashkimi Evropian pret nga takimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili do të zhvillohet të martën, më 4 prill në Bruksel, që të dyja palët të kontribuojnë në atmosferën e pajtimit, normalizimit dhe zbatimit të shpejtë të marrëveshjes, njoftoi sot shërbimi për shtyp i BE-së, shkruan GazetaBlic.
Sipas njoftimit, është planifikuar një takim mes dy kryenegociatorëve të Beogradit dhe Prishtinës, Petar Petkoviq dhe Besnik Bislimi, i cili do të ndërmjetësohet nga i dërguari special i BE-së për dialog, Miroslav Lajçak.
BE-ja thotë gjithashtu se do të diskutohen të gjitha detajet lidhur me zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve nga 27 shkurti dhe aneksin e saj nga 18 marsi, të dakorduara në takimin trepalësh në Ohër.
Gjithashtu, BE-ja theksoi se palët kanë marrë përsipër të “përmbahen nga çdo veprim që do të kishte efekt të kundërt”.


