Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se shkak për shifrat rekord të importeve nga Serbia për vitin 2020 dhe 2021 ka qenë dialogu mes dy vendeve.
Ai ka shtuar se rritja e importeve është bërë vetëm pasi Qeveria e tij strategjikisht është fokusuar në marrëveshjen që po përpiqet të bëjë me Serbinë për njohje reciproke.
“Është për të ardhur keq, por jemi fokusuar strategjikisht në këtë marrëveshjen e madhe që po dëshirojmë ta bëjmë me Serbinë për njohje reciproke”, ka deklaruara ai.
Kreu i ekzekutivit ka deklaruar se nuk ka reciprocitet të plotë me Serbinë dhe kjo është duke u menduar, sipas tij, të bëhet pas marrëveshjes përfundimtare.
“Ashtu është, ne ende nuk e kemi raportin reciprok me Serbinë, po mendojmë që këtë ta bëjmë në raport të plotë. Kemi përgatitur të dhënat me ATK-në për këtë, por nga viti i kaluar ne kemi hyrë në një fazë të re ku po bëjmë kornizë të marrëveshjes, fillimisht në Bruksel, e pastaj me iniciativën franko-gjermane për marrëveshje totale, jemi të përqendruar në marrëveshje totale, ku duhet të përfshihet edhe reciprociteti”, ka thënë tutje ai.


