Lajme

Osmani në Vjenë: Marrëveshja e Ohrit është obliguese për palët

03/30/2023 18:54
nga:Astrit Gashi

Presidentja Vjosa Osmani është duke mbajtur një ligjëratë në Institutin Austriak për Politika Evropiane dhe Siguri.

Ajo aty është duke folur për sukseset e Kosovës, si rritja e performancës për sundimin e rendit dhe ligjit si dhe synimin e paepur në rrugën evropiane.

Ndër të tjera Osmani ka folur edhe për marrëveshjen e arritur me Serbinë në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

“Paraqet një momentum të ri për Kosovën. Ka marrëveshje në mes të dy palëve të barabarta, që respektojnë sovranitetin dhe integritetin territorial. E bardha në të zezë thotë që marrëveshja është obligative – që Serbia nuk do ta pengojë Kosovës të anëtarësohen në asnjë organizatë ndërkombëtare”, është shprehur Osmani.

“Kjo marrëveshje paraqet obligime ligjore, ndonëse disa mund të thonë jo, ose se nuk ka nënshkrim. Bashkimi Evropian është angazhuar që ta bëjë ligjore”.

“Ka momentum të ri për njohjet ndërkombëtare dhe për anëtarësimin në organizata ndërkombëtare”.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, thirret në atë së në Ohër nuk kanë nënshkruar, duke pretenduar që marrëveshjen ta bëjë joobliguese.

Ajo u shpreh se përkushtimi që ka Kosova së bashku me aleatët e saj, që vendi të përfshihet në organizatat ndërkombëtare, është shumë i fortë.

“Anëtarësimi do të çonte në stabilitet edhe më të madh Ballkanin Perëndimor”, tha Osmani.

“Një Kosovë e suksesshme do të thoshte më shumë stabilitet, e një stabilitet në Ballkan, është më shumë stabilitet në Evropë, e sa më shumë stabilitet në Evropë, do të ndikonte në stabilitetin global”, tha presidentja.

“Është shumë e rëndësishme që të lëvizim në integrimin e Kosovës”.

Në këtë pikë, ajo tha se kur Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, iu bashkuan NATO-s, ka bërë që stabiliteti në Ballkanin Perëndimor, në masë të madhe të rritet.

“Nëse Kosova bëhet anëtare, atëherë do të kishte edhe më shumë stabilitet”, u shpreh Osmani, para diplomatëve të ndryshëm.

Për më tepër, ajo deklaroi se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, do të ndihmonte rritjen e mbrojtjes së të drejtave të njeriut për të gjitha komunitetet në Kosovë.

“Thërras vendet anëtare që të votojnë për anëtarësimin e Kosovës në KiE”, u shpreh ajo, duke shtuar se anëtarësimi i Kosovës në organizatat e ndryshme, do të thoshte më shumë të drejta për qytetarët.“Integrimi në Interpol do të bënte që të ishte më efektive lufta ndaj krimit të organizuar, pastaj anëtarësimi në UNESCO do të thoshte më shumë mbrojtje për monumentet e kulturës, kurse anëtarësimi në Organizatën Botërore të Shëndetësisë, do të thotë se do të kishte më shumë ndihmë e më shumë shërbime për qytetarët në aspektin shëndetësor”.

Prandaj, presidentja u shpreh se anëtarësimi në organizata të tilla, sjell më shumë siguri për njerëzit.

“E fundit, anëtarësimi në OKB, do të thoshte mbyllje e një kapitulli për Ballkanin Perëndimor dhe përfundimisht tërë rajonit do to i jepte mundësi të shihte përpara, një të ardhme më të mirë për gjeneratat e reja dhe gjithë në rajonin”, tha Osmani.

“E gjithashtu, për fëmijët tanë që të mos kalojnë nëpër ato që ne kemi kaluar”.

Presidentja tha se Kosova është tregim suksesi dhe për të duhet të jenë krenarë jo vetëm kosovarët por i gjithë komuniteti ndërkombëtar.

Prandaj, ajo tha se integrimi do të ndihmonte jo vetëm Kosovën por tërë rajonin, që të kishte më shumë stabilitet.