Tashmë i dimë edhe dy çiftet gjysmëfinaliste të Kupës së Shqipërisë, edicioni 2022-2023. Shorti i hedhur sot nga FSHF-ja ka zbuluar përballjet Vllaznia-Egnatia dhe Tirana-Teuta, nag të cilat do të dalin edhe finalistët për trofeun e madh dhe të lakmuar.
Gjatë përzierjes së goglave kanë qenë të pranishëm edhe përfaqësuesit e katër klubeve ende në garë. Fituesi i Kupës së Shqipërisë, veç nderimit kombëtar, fiton të drejtë e marrjes pjesë direkt edhe në Kupat e Europës.
Ndërkohë, FSHF kishte parashikuar tashmë se ndeshjet e kësaj faze do të luhen më 26 prill dhe 11 maj, ndërsa finalja e madhe është fiksuar më 1 qershor 2023. Vllaznia vjen në këtë raund gjysmëfinal pasi ka fituar në dy edicionet e fundit trofeun e Kupës së Shqipërisë, ndërsa në total numëron 8 kupa të tilla.
Gjysmëfinalistja tjetër Tirana mban edhe rekordin, duke u shpallur 16 herë fituese e Kupës së Shqipërisë, kurse Teuta e ka fituar 4 herë. Egnatia është e vetmja nga katër gjysmëfinalistet që nuk e ka fituar asnjëherë më parë këtë trofe.


