Nga Bashkimi Evropian kanë thënë se shumë shpejt do të nisë zbatimi i marrëveshjes së Ohrit me 18 mars në mes të Kosovës e Serbisë.
Megjithëse nuk është nënshkruar, marrëveshja e arritur ndërmjet kryeministrit kosovar Albin Kurti e presidentit Aleksandër Vuçiq duhet të zbatohet.
Por, sa ekziston mundësia që Serbia të mos e zbatojë atë dhe vetëm Kosovës t’i duhet ta formojë Asociacionin dhe t’i zbatojë pikat tjera të këtij aneksi.
Lidhur me këtë, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Agon Batusha, thotë për Gazeta Blic se zbatimi i marrëveshjeve gjithmonë është sfidë pasi Serbia nuk e bën atë.
“Gjithmonë dakordimet apo marrëveshjet me Serbinë janë sfidë kur vie puna tek zbatimi. Kemi të bëjmë me një fqinj i cili nuk është serioz në raport me marrëveshjet që bënë, sidomos me Kosovën”, thekson deputeti.
Sipas tij, zbatimi i marrëveshjes së Ohrit ka kusht procesin e integrimit të Kosovës e Serbisë në BE dhe se vullneti i Serbisë për t’u bërë pjesë e BE-së varet nga zbatimi i kësaj marrëveshje, megjithatë thotë se ka rezerva për Vuçiqin që dëshiron të blejë kohë.
“Kushtëzimi për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit është bërë përmes futjes si kriter në procesin integrues të Serbisë dhe të Kosovës. Për Serbinë është kusht në pjesën e “Fqinjësisë së mirë” respektivisht kapitulli i 35 në procesin e negociatave për anëtarësim në BE. Rrjedhimisht zbatimi i kësaj marrëveshje është i varur nga vullneti i Serbisë për anëtarësim në BE, vullnet ky në të cilin kam rezerva sepse mendoj që Vuçiq është duke blerë kohë tek ndërkombëtarët sepse nuk e ka me gjithë mend kthimin politik kah perëndimi”, vlerëson Batusha për Gazeta Blic.
Andaj, ai thotë se BE dhe SHBA duhet të jenë më serioz kundër lojërave të Vuçiqit.
“Prandaj, mendoj që BE-ja dhe SHBA-të do duhej të jenë më serioz në këtë aspekt, më të qartë dhe më të vendosur, posaçërisht kundër lojërave të Vuçiq”, deklaron deputeti Agon Batusha për Gazeta Blic.
Ndërsa, profesori Muhamet Kelmendi thotë se SHBA dhe BE i kanë mjetet që t’i detyrojnë palët për zbatimin e aneksit të Ohrit, por thotë se Kosova është më e ngarkuar se Serbia.
“UE dhe SHBA i kanë mjetet për të detyruar zbatimin e planit dhe të aneksit të UE-së. Mesazhet e bëra nga Brukseli dhe nga Uashingtoni për marrëveshjen dhe planin ekzekutues janë shumë të qarta. Në këtë anë kemi të përcaktuar edhe masat që duhet të ndërmerren nëse nuk zbatohen angazhimet e marra nga Serbia dhe Kosova në Ohër. Masat janë nduarduarshme dhe strikte. Natyrisht se është çështja kryesisht në faktin se a qëndron Brukseli dhe Uashingtoni në obligimet e marra? Masat e përcaktuara për palët janë të ndryshme. Kosova del më e ngarkuar se Serbia”, shprehet ai për Gazeta Blic.
Ai tregon cilat janë masat për Kosovën nëse nuk e zbaton marrëveshjen.
“Për Kosovës masat janë: 1. Mos liberalizimi i vizave. 2. Mos anëtarësimi në organizatat e ndryshme ndërkombëtare. 3. Refuzimi i kërkesës së shtruar pranë UE-së për statusin e kandidatit. 4. Refuzimi i anëtarësimit në NATO. 5. Ndërprerja e investimeve. Ka edhe masa tjera të përcaktuara. Mendohet se ato shkojnë deri të izolimi i plate i Kosovës”, thekson profesori.
Kelmendi rendit edhe masat që do të ndërmerren ndaj Serbisë nëse nuk e zbaton aneksin e Ohrit.
“Ndërsa, për Serbinë janë:. 1. Refuzimi i Statusit të Kandidatit në UE. 2. Ndalimi i investimeve nga UE dhe nga Uashingtoni në Serbi. 3. Tërheqja e subjekteve ekonomike, financiare e politike nga Serbia. 4. Vendosja e sanksioneve ndaj Serbisë dhe 5. Izolimi i Serbisë”, shton ai.
Sipas Kelmendit, ka edhe masa tjera për të dyja shtetet, duke shikuar nivelin e zbatimit edhe masat.
“Natyrisht se ka edhe masa tjera. Këto janë masat dhe mjetet që UE dhe SHBA-a i ka përcaktuar, kuptohet sikurse kundër njërit, ashtu edhe shtetit tjetër. Çdoherë duhet shikuar këtu nivelin e zbatimit të masave! Nga masat shikohet edhe vetë detyrimi dhe niveli i zbatimit”, thekson Muhamet Kelmendi për Gazeta Blic.
Ai përmend dhe kërkesat e Vuçiqit për këtë aneks lidhur me Kosovën, të cilat nuk duhet të lejohen nga ndërmjetësuesit dhe se BE e SHBA i kanë mjetet që ta bëjnë planin të zbatueshëm.
“Tash nga kriminel i luftës, Aleksandër Vuçiq, është paraqitur kërkesa për ndryshimit të planit dhe të aneksit në disa çështje. U kërkua: 1. Mos anëtarësimi i Kosovës në OKB-në. 2. Formimi i Asociacionit me pushtet ekzekutiv. 3. Mos respektimi i barazisë së palëve me nënshkrim, mbi bazën se Kosova nuk e ka të zgjidhur statusin. 4. Mos largimin e Kosovës si krahinë jugore e shtetit serb nga Kushtetuta. Ka edhe kërkesa tjera të paraqitura. Garantuesit e planit dhe të aneksit zbatues nuk kërkohet që të lejojnë ndonjë ndryshim. Plani dhe masat janë pranuar dhe ato kërkohet të realizohen. Mjetet i ka perëndimi për të detyruar palët në zbatimin adekuat të planit të UE-së dhe të SHBA-ve”, deklaron profesori Kelmendi./Gazeta Blic/


