Sonte në orën 20:45 në Bursa, kombëtarja e Kroacisë viziton Turqinë në kuadër të xhiros së dytë të grupit D të kualifikimeve për Kampionatin Evropian.
Skuadra e Zlatko Dalic luajti 1:1 në shtëpi kundër Uellsit në xhiron e parë të shtunën, ndërsa Turqia fitoi 2:1 në një fushë shumë të nxehtë në Armeni, përcjell GazetaBlic Sport.
Në konferencën për shtyp para ndeshjes me trajnerin Stefan Kuntz ishte i pranishëm edhe portieri i Besiktas, Mert Gunok.
“Si kombëtare turke, ne kemi ardhur këtu në Bursa dhe do të bëjmë maksimumin për të fituar. Ftoj të gjithë njerëzit nga Bursa që të vijnë sa më shumë dhe të bëjnë tifo për ne deri në fund të lojës.” tha portieri i Turqisë dhe shtoi:
“Ne kemi respekt për Kroacinë, i kemi ndjekur në turnetë e mëparshëm. Nesër mbrëma do të luajmë për tifozët tanë në Bursa dhe do të bëjmë maksimumin për ta fituar ndeshjen. Fatkeqësisht, pas tërmetit, shumë njerëz mbetën pa shtëpi dhe ende kanë probleme të mëdha, si futbollistë do të luftojmë për fitore dhe kjo do të ishte një dhuratë për t’i bërë të lumtur banorët që humbën shtëpitë dhe familjet e tyre. Nesër mbrëma do të jemi të bashkuar me tifozët dhe do të mundohemi të festojmë”, përfundoi ai.
/GazetaBlic Sport


