Lajme

Njohësit e sigurisë thonë se ka kapacitete për mbarëvajtjen e zgjedhjeve të lira në veri

03/26/2023 21:12
nga:G B

Zgjedhjet për kryetarë të komunave veriore janë paraparë që të mbahen më 23 prill.

Pjesë e këtyre zgjedhjeve nuk do të jetë Lista Serbe, partia më e madhe e komunitetit serb në Kosovë, e mbështetur nga Beogradi zyrtar.

Por, kjo nuk po shihet si një pengesë në mbarëvajtjen e këtij procesi, sidomos nga aspekti i sigurisë.

Ish-drejtori i Policisë, Rashit Qalaj thotë se institucionet i kanë të gjitha kapacitetet e duhura për të siguruar që zgjedhjet të jenë të lira.

Sipas tij, Beogradi po tenton që çështjen e zgjedhjeve dhe të zyrtarëve policorë të dorëhequr ta bart në tryezën e diskutimeve në Bruksel, teksa kërkon që të mos ketë shtyrje tjetër të këtij procesi.

Kurse, eksperti i sigurisë, Bedri Elezi thotë se nuk pritet që të ketë tensionim të situatës për shkak se në takimin e fundit në Ohër mes kryeministrit Kurti dhe presidentit serb, Vuçia i janë plotësuar kërkesat serbëve.

Katër kryetarët e këtyre komunave kishin dhënë dorëheqje nga pozita për shkak të një vendimi të Qeverisë për konvertimin e targave ilegale serbe në ato “RKS”.