Deputeti i VV-së, Mefail Bajqinovci i është kundërpërgjigjur deputetit të LDK-së, Avdullah Hoti, ku ky i fundit sot tha se Qeveria Kurti ka katandisur shtetin.
Bajqinovci në një prononcim për GazetaBlic thotë me ironi se deklarata e Hotit mund të qëndrojë, teksa shton se, shteti i tenderomanisë, privatizimeve korruptive, shteti që blen e kërcënon gjykatës e prokuror, e që emëron sipas stilit pronto, është katandisur.
Bajqinovci kritikoi deputetin Hoti për kohën sa ishte në pushtet duke thënë se, gjatë qeverisjes së tij shteti ishte pronar i koorporatave të mëdha të krijuara me kapital të dyshimtë, e pastaj çka të mbetet për qytetarët.
“Pa dashur të bëjmë ironi por mund të qëndroj kjo deklarata e z. Hoti. Mundet që është katandisë shteti i tenderomanisë, privatizimeve korruptive, shteti që blen e kërcënon gjykatës e prokuror, e që emëron sipas stilit pronto. Ky lloj shteti edhe është katandisë. E tani, se si e qysh e kupton z. Hoti shtetin, pra, a si mekanizëm që i shërben shoqërisë e popullit pa dallim apo shtetit që i shërben, ta zëmë monopoleve të oligarkëve, kjo don diskutim. E po, përvoja e z. Hoti në pushtet na tregon që shteti njëherë është pronar i koorporatave të mëdha të krijuara me kapital të dyshimtë, e pastaj çka të mbetet për qytetarët”, tha Bajqinovci për GazetaBlic.
Kujtojmë se, deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti sot tha se shteti është katandisur nga mos-veprimet e Qeverisë Kurti në sektorë të ndryshëm, veçanarisht në atë ekonomik.
Hoti përmes një shkrimi në “Facebook” ka numëruar disa nga dështimet e Qeverisë ku këtu ka përfshirë tatimin në pronë, rritjen e energjisë elektrike, rënien e rritjes ekonomike e shumë të tjera.
Hoti shkruan se askush nuk po merret me zhvillimin ekonomik dhe sipas tij askush nuk po merret me punësimet.


