Sporti

Nuhiu me besim të plotë: Kosova do të ketë ecuri pozitive në kualifikimet e ‘Euro 2024’

03/25/2023 13:22
nga:Mergim Rreci

Kombëtarja e Kosovës e fillon sonte fazën kualifikuese për ‘Euro 2024‘.

“Dardanët” do të përballen me kombëtaren e Izraelit, me ndeshjen që luhet në ora 18:00, shkruan GazetaBlic Sport.

Kosova ka zbarkuar ditën e djeshme në Izrael dhe gjithashtu ka kryer stërvitjen e fundit para ndeshjes që luhet sonte në “Bloomfield Stadium”.

Trajneri i mirënjohur shqiptar, Ardian Nuhiu tha për ‘GazetaBlic Sport‘ se rezultati pozitiv në ndeshjen e sotme ka shumë rëndësi, duke besuar fuqishëm tek grupi që ka kombëtarja.

“Besoj se Kosova do të jetë një kockë e fortë për çdo kombëtare, përvoja e fituar, grupi që tashmë njihet shumë mirë, ftesat për disa futbollistë të rinj që janë paraqitur shumë pozitivisht me ekipet e tyre, do të jenë ndihmë shtesë për kombëtaren. Ndeshja e parë sonte është e rëndësishme për të nisur me rezultat pozitiv, për vazhdimin e garës por edhe për aspektin psikologjik të grupit”, tha fillimisht Nuhiu.

Më pas, ai tha se ajo që ka rëndësi në këtë moment është forma e mirë e futbollistëve dhe kjo e bën që të besoj fuqishëm në suksesin e Kosovës në këto kualifikime.

“Më e rëndësishmja është forma e futbollistëve dhe minutat që po marrin në ekipet e tyre. Futbollistë e Kosovës janë protagonistë kryesorë dhe luajnë një rol të madh në ekipet e tyre, kjo më bën të besoj fort në një ecuri pozitive në këto kualifikime. Me një kompaktësi si grup, me një lojë kolektive, menaxhimi i ndeshjes në varësi të kundërshtarit, rezultati do të vijë kur ndeshjet të luhen me mençuri dhe këmbëngulje për të arritur suksese. Shpirti luftarak i kombëtares sonë dhe me shumë entuziazëm, e shoh se do të jemi një grup i pathyeshëm“, përfundoi Nuhiu.

/GazetaBlic Sport/