Lajme

Manaj pas vendimit të GJK: Fitore e madhe e ruajtjes së rendit kushtetues dhe pavarësisë institucionale

03/24/2023 21:37
nga:Y I

Deputeti i LDK-së, Shkëmb Manaj ka reaguar pas vendimit të Kushtetueses ku shpalli të pavlefshëm Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Ai ka thënë se Gjykata ka aprovuar kërkesën e tij bashkë me 10 deputetë të Grupit Parlamentar të LDK-së duke shpallë të pavlefshëm Ligjin për Këshillin Prokurorial.

Manaj këtë e ka cilësuar si fitore të madhe të ruajtjes së rendit kushtetues dhe një dëshmi që pushteti i Vetvendosjes përmes ligjeve kundër kushtetuese po tenton të kap sistemin e drejtësisë.

“Kjo është edhe një dëshmi që pushteti absolut i Vetëvendosjes përmes ligjeve kundër kushtetuese po tenton të kap sistemin e drejtësisë”, është shprehur ai.

Reagimi i plotë:

Gjykata Kushtetuese ka aprovur sot kërkesën tonë të parashtruar nga 10 deputetë të Grupit Parlamentar të LDK-së dhe njëzëri ka të shpallë të pavlefshëm, në tërësinë e tij,
Ligjin nr.08/L-136 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr. 06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Kjo është fitore e madhe e ruajtjes së rendit tonë kushtetues dhe të pavarësisë institucionale të institucioneve të pavarura të drejtësisë.

Kjo është edhe një dëshmi që pushteti absolut i Vetëvendosjes përmes ligjeve kundër kushtetuese po tenton të kap sistemin e drejtësisë.

Për njoftim, në thelb, Aktgjykimi sqaron që në rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, sistemi prokurorial është plotësisht i pavarur. Më saktësisht, Këshilli Prokurorial është pjesë përbërëse e Kapitullit VII të Kushtetutës lidhur me Sistemin e Drejtësisë dhe bashkë me Këshillin Gjyqësor, kanë kompetencën e administrimit të sistemit gjyqësor dhe prokurorial, respektivisht dhe pavarësisht ngjashmërive e dallimeve përkatëse, në ushtrimin e funksioneve të tyre, Kushtetuta u akordon të dyjave “pavarësi të plotë kushtetuese”.

Aktgjykimi sqaron që kjo pavarësi e plotë kushtetuese, bazuar në nenin 4 të Kushtetutës lidhur me ndarjen dhe balancimin e pushteteve, i nënshtrohet edhe balancimit e ndërveprimit me pushtetet tjera, gjithnjë në përputhje me vlerat demokratike siç janë të përcaktuara në nenin 7 të Kushtetutës.