Anëtari i kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti, ka thënë se pasi Kurti e pranoi se ka Asociacion, edhe lojalistët e tij duhet ta pranojnë se Zajednicën po e bën shefi i tyre, i cili e kishte kundërshtuar me dhunë para se të vinte në pushtet, raporton Gazeta Blic.
Ai përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se lojalistët duhet t’i besojnë këtë herë Kurtit dhe jo atëherë kur ka bërë be se s’do ta bënte.
Ai ka thënë se lojalistët tani po thonë se ka Asociacion, por s’ka Zajednicë.
“Linja e mbramë mbrojtëse e albinistëve të përbetuar: Ka Asociacion, por s’ka Zajednicë! Zajednica nuk kalon”, ka shkruar ai.
Postimi i tij i plotë:
Mbasi Albin Kurti e pranoi shprehimisht sonte në RTK se ka Asociacion, besoj që edhe lojalistët e tij e pranojnë se Zajednicën po e bën shefi i tyre, ky që e ka kundërshtuar me dhunë para se të vinte në pushtet.
Lojalistët duhet t’i besojnë Kurtit kësaj here. S’duhej t’i besonin atëherë kur bënte bé e rrfé se s’do ta bënte. E ka pasur kauzë të rreme (“Zajednica nuk kalon!”), për vota, jo bindje, siç e kemi ditur ne, por shumë të tjerë jo, me sa duket.
Pa përjashtim, kthesat e qëndrimeve të Kurtit kryeministër janë 180-shkallëshe prej qëndrimeve të Kurtit opozitar.


