Njohësi i çështjeve politike, Dritëro Arifi ka komentuar deklaratën e emisarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i cili sot iu kundërpërgjigj deklaratës së kryeministrit Kurti, duke thënë se vetmenaxhimi është formimi i Asociacionit.
Arifi në një prononcim për GazetaBlic thotë se, nuk duhet të habitemi për një deklaratë të tillë sepse të njëjta është thënë edhe nga ambasdori amerikan, Hovenier.
“Sikur në nenin 7 ashtu edhe në atë 10 është Asociacioni që i bie se, formimi i tij është rrugës. Në këtë situatë që jemi varet se çfarë statuti ne do t’i japim”, tha Arifi.
“Të njëjtën gjë dje e tha edhe ambasadori amerikan midis Prishtine. Me qëllim e tha që ta kuptojnë edhe qytetarët edhe Qeveria, obligimet që i kanë marrë duhet t’i zbatojnë”, shtoi Arifi.
Sipas Arifit, kryeministri Kurti nuk është dashur të pranojë marrëveshjen me nenin 7 dhe atë 10, të dyja bashkë janë formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
“Qeveria është dashur ose mos të ketë nenin 7 ose atë 10. Të dyja bashkë është Asociacioni, ashtu siç janë zotuar Qeveritë e kaluara edhe kjo Qeveri do të duhet ta zbatojë”, tha Arifi.
Ndërsa njohësi i çështjeve politike, Muhamet Kelmendi e kritikon në mënyrë të ashpër marrëveshjen e Ohrit të arritur me 18 mars.
Kelmendi i tha GazetësBlic se me Asociacionin nënkuptohet një subjekt i ri juridiko-organizativ në Kosovë dhe sipas tij do të krijohet një shkallë e re e pushtetit.
“Ky vetmenaxhim është vetadministrin që juridikisht nënkupton një subjekt të ri juridiko-organizativ në Kosovë. Me këtë krijohet një shkallë e re e pushtetit. Natyrisht se me këtë vetadministrim arrihet tek të drejtat tjera politike që njihen për kombe të ndara, apo të pushtuara”, tha Kelmendi.
Sipas Kelmendit, në takimin e Ohrit u dha goditja më e ashpër historike ndaj Kosovës ku u la anash reciprociteti dhe shqiptarët e Luginës së Preshevës.
“Me këtë u dha goditja më e ashpër historike ndaj Kosovës. U la anash reciprociteti si parim i zgjidhjes së çështjeve ndërshtetërore. Në fakt as që u folë për këtë dhe për shqiptarët e Luginës së Preshevës”, tha Kelmendi.
/GazetaBlic/
Lajçak: Kemi qenë më ambiciozë, por Marrëveshja e Ohrit është e detyrueshme


