Lajme

Pika më problematike e marrëveshjes, juristët tregojnë çka përfiton Kosova, çka Serbia

03/20/2023 19:19
nga:Genita C

“Kosova dhe Serbia e pranojnë se çdo mosrespektim i obligimeve të tyre nga Marrëveshja (e 27 shkurtit në Bruksel), Aneksi ( i 18 marsit në Ohër) dhe Marrëveshjet e Kaluara të Dialogut mund të ketë pasoja direkte negative për procesin e pranimit në BE dhe ndihmën financiare që marrin nga BE-ja”, është një ndër pikat e marrëveshjes të arritur në Ohër e cila po konsiderohet si ‘problematike’.

Avokati Skender Musa thotë se me marrëveshjen e arritur në Ohër është paralajmëruar hapja e rrugëve për BE.

Musa në një prononcim për GazetaBlic theksoi se, kjo pikë veçanarisht i bën me dije Serbisë se pa zgjidhur problemet me Kosovën nuk mund të anëtarësohet në BE.

“Marrëveshja e arritur në bazë të planit franko-gjerman e përkrahur nga SHBA-të është ndërkombëtare e cila duhet të zbatuar. E njëjta është paralajmëruar se do të jetë pjesë e platformës për Kosovën dhe Serbinë drejtë integrimit të Bashkimit Evropian”, tha Musa.

“Tek mos-zbatimi i pikave të marrëveshjes do të ketë sanksione dhe është paralajmëruar se në rastin ku njëra palë nuk zbaton këtë marrëveshje dhe marrëveshjet tjera do të kenë pasoja për anëtarësim në BE, sidomos Serbia nuk mund të anëtarësohet pa zgjidhur të gjitha problemet që ka me Kosovën”, shto Musa.

Ndërsa, pika e lartë përmendur për Kosovën ka të bëjë me çështjen e Asociacionit ku Musa shton se, tashmë Kosova është e obliguar të formojë Asociacion apo siç e quante në opozitë ‘Zajednicën’

“Këtu do të jetë edhe çështja e statusit politik të Kosovës, në anën tjetër Kosova duhet t’i përmbush obligimet ndërkombëtare që ka marrë në marrëveshjen e Ohrit. Këtu përfshihet edhe formimi i Bashkësisë së Komunave serbe, apo siç e quante Qeveria sa ishte në opozitë “Zajednicën”, thotë Musa.

Musa nuk përjashton faktin që në marrëveshjen e arritur, mund të ketë edhe kompetenca të tjera që janë në favor të Serbisë.

“Këtu ndoshta ka pas edhe ndonjë kompetencë të re, ku përfshihet autonomia e serbëve në fusha të ndryshme”, tha Musa për GazetaBlic.

Në anën tjetër, njohësi i çështjeve juridike Ehat Miftaraj thotë për GazetaBlic se kjo marrëveshje ka ndryshuar komplet qasje.

“Marrëveshja dhe Aneksi i pajtuar mes dy shteteve ka ndryshuar qasjen e deritanishme ku mos-zbatimi i obligimeve nga ana e Kosovës apo Serbisë është lidhur kryesisht me raportet mes dy vendeve dhe shumë më pak në raport kontraktuale me BE”, thotë Miftaraj.

Miftaraj thotë se Serbia e ka lidhur integrimin Evropian me obligimet e marrëveshjes, ndërsa sipas tij, Kosova pranimin në organizata ndërkombëtare dhe mund të ketë njohje të reja.

“Me qasjen e re Serbia integrimin Evropian e ka lidhur drejtpërdrejtë me permbushjen e obligimeve që dalin nga marrëveshjet e mëhershme dhe ato me Marrëveshjen bazë dhe aneksin, përderisa Kosova përveq integrimit evropian nëse i zbaton marrëveshjet mund të përfitoj edhe pranimin në organizata ndërkombëtare, por edhe në pranimin e njohjeve të reja”, tha Miftaraj për GazetaBlic.

Ish-ministrja e Integrimeve Evropiane kërkon dorëheqjen e Kurtit: Mendon për pushtetin, jo për shtetin