Gjykata Themelore në Prishtinë, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, duke ia caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, të dyshuarit A.L (42-vjeçar), nën dyshimin se ia dogji garazhin redaktorit të Radio Televizionit të Kosovës (RTK), Alban Selimi.
Lajmin për “Betimi për Drejtësi” e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.
Ndërsa, në njoftimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, thuhet se i dyshuari A.L., dyshohet se ka kryer veprat penale “Zjarrvënia” nga neni 322, paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës të Kosovës dhe “Kanosja” nga neni 185, paragrafi 3 lidhur me paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës të Kosovës.
“Gjyqtari i procedurës paraprake me rastin e caktimit të paraburgimit ka vlerësuar se nëse i pandehurit A.L gjendet në liri, ekziston rreziku potencial i arratisjes dhe ikjes së tij dhe mund të pengon sigurimin e prezencës së tij në procedurën penale. Gjykata ka vlerësuar se duke pasur parasysh karakteristikat e tij personale, pasi që i pandehuri A.L është recidivist i gjykuar dhe i dënuar me aktgjykime të plotëfuqishme për vepra të ndryshme penale, ekziston rreziku se i pandehuri po të gjendet në liri, do të përsëris veprat penale apo do të kryej veprën penale për të cilën është kanosur ta kryej”, thuhet në njoftim.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.


