Në prag të El Clasico sonte në Camp Nou, DAZN ka publikuar një intervistë me Luka Modric. Veterani i Realit ka paralajmëruar shkurt ndeshjen dhe ka folur për të ardhmen e tij. Kujtojmë se Modric ende nuk ka kontratë të re me Realin dhe aktualja e tij skadon në fund të sezonit.
“Klubi e di dëshirën time, e kam theksuar shumë herë. Në këtë moment nuk po mendoj për të ardhmen. Dua të bëj më të mirën dhe pastaj të shohim se çfarë do të ndodhë”, iu përgjigj ai pyetjes për të ardhmen e tij.
“Unë nuk ndihem i vjetër. Jam shumë i lumtur që në këtë moshë jam ende duke luajtur në një nivel kaq të lartë dhe shpresoj se do të vazhdojë sepse ndihem shumë, shumë mirë”, shtoi 37-vjeçari kroat.
Shokët e tij të skuadrës i vunë nofkën “vinagre” në stërvitje, që është një term spanjoll për një njeri që inatoset shpejt. “Hahaha, të gjithë e thonë këtë. Kjo sepse unë gjithmonë inatosem kur humbim në stërvitje. E urrej. Por nuk jam i vetmi, ka edhe më keq se unë”, ka komentuar Modric.
“A është El Clasico shansi ynë i fundit për të luftuar për La Ligën? Po, do të pajtohesha. Ne jemi të vetëdijshëm për këtë. Ky është treni ynë i fundit në luftën për titull”, tha ai në fund.
/GazetaBlic Sport


