Dje në Ohër të Maqedonisë së Veriut u mbajt takimi në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.
Ky takim erdhi pas atij të 27 shkurtit në Bruksel, ku u pajtuan për planin evropian, ndërsa dje u arrit marrëveshje për zbatimin e këtij plani.
Presidenti serb ishte ai që nuk nënshkroi marrëveshjen, për të cilën pala kosovare kishte shprehur gatishmëri ta nënshkruante edhe në takimin e 27 shkurtit.
Kryeministri Kurti sot tha se Serbia iu shmang nënshkrimit të marrëveshjes dhe të aneksit dhe se tani i takon BE-së që të gjejë një mekanizëm për ta bërë marrëveshjen ligjërisht dhe ndërkombëtarisht të detyrueshme.
“Tani kemi arritur një marrëveshje për një aneks implementues të Marrëveshjes Themelore. Serbia, ashtu si në takimin e fundit në Bruksel, iu shmang nënshkrimit të Marrëveshjes dhe tani edhe Aneksit. I takon BE-së të gjejë një mekanizëm për ta bërë marrëveshjen ligjërisht dhe ndërkombëtarisht të detyrueshme”, shkroi Kurti në Twitter.
Lidhur me këtë, ish ambasadori Avni Arifi, në një prononcim për Gazeta Blic, tha se dje me arritjen e marrëveshjes në Ohër kanë ndodhur dy gjëra, zhbllokimi i bisedimeve, përfshirë formimin e Asociacionit dhe demaskimi i VV-së për dialogun dhe propaganda e ndytë e tyre për këtë proces.
“Dy gjëra kanë ndodhur: 1) Është zhbllokuar procesi i bisedimeve dhe avancimit të Kosovës drejt integrimit në proceset Euroatlantike, duke përfshirë implementimin e Zajednicës 2) Është demaskuar në tërësi pozicioni që LVV ka pasur kundrejt dialogut dhe propaganda e tyre e ndytë ndaj procesit të dialogut”, thotë Arifi për Gazeta Blic.
Ndërsa, analisti politik, Arbnor Sadiku, thotë për Gazeta Blic se me këtë marrëveshje Kosova jep autonomi lokale dhe kishtare për serbët e Kosovës por edhe fiton.
“Marrëveshje për normalizimin e raporteve, para së gjithash duhet cekur se nga kjo Kosova jep një autonomi lokale dhe kishtare për serbet e Kosovës, ajo edhe fiton shumëçka. “Së pari, kjo zgjidh çështjet rreth pasaportave, targave dhe dokumenteve të tjera zyrtare, marrëveshja pasi të hyjë në fuqi, dokumentet e Kosovës do të trajtohen saktësisht si të barabarta me ato të Serbisë apo të ndonjë vendi tjetër””, vlerëson ai.
Sipas Sadikut, nuk parashihet njohje de facto me këtë marrëveshje.
“Megjithatë nuk besoj se dispozitat e Marrëveshjes së 27 shkurtit parashohin në këtë fazë njohjen e Kosovës nga Serbia në mënyrë de facto, pasi që Marrëveshja, argumenton më tej ai, nuk është i dizajnuar si një traktat formal ndërmjet shteteve, i cili do të ishte një indikator shumë më i qartë i njohjes de facto”, thekson Sadiku për Gazeta Blic.
Sipas tij, Serbia mban rezerva për statusin e Kosovë dhe se Asociacioni do të formohet nga ana e Kosovës.
“Marrëveshja ka referenca të qarta për mosmarrëveshje rreth ‘statusit’, që do të thotë se Serbia mban rezerva për statusin e Kosovës. Për këtë arsye, nuk do të lexoja shumë nenin në të cilin palët bien dakord të udhëhiqen nga parimet e kartës së OKB-së, sepse ato parime zbatohen në mënyrë eksplicite për ‘shtetet’, dhe Marrëveshja shmang me kujdes përshkrimin e palëve si shtete. Pra, Marrëveshjet e Brukselit të vitit 2013 dhe 2015, të cilat skiconin atë që supozohej të ishte, janë krejtësisht të ndryshme nga Marrëveshja e Dejtonit. Ata thonë se nuk do të lejojnë një entitet serb, por Asociacioni është e qartë se nuk është ashtu, është një jo-entitet. Ata thonë se është kundër kushtetutës, por Gjykata Kushtetuese në fakt urdhëroi qeverinë të zbatojë marrëveshjen e Brukselit dhe të themelojë Asociacionin/Bashkësinë”, deklaron Arbnor Sadiku.
Ndërsa, profesori Muhamet Kelmendi vlerëson se dje në Ohër u bë de facto ndarja dhe copëtimi i Kosovës me Asociacionin.
“Nga pajtueshmëria që u bë midis palëve në Ohër nga krimineli serb Vuçiç, Kryeministri Kurti dhe vetë z.Borrell u vendos në takim të formohet një mekanizëm që është Asociacioni. Ky organizim i pakicës serbe nëpër komuna me shumicë serbe garanton vetëmenaxhimin e minoritetit serb në Kosovë. Ky vetëmenxhim është vetëadministrim, që juridikisht nënkupton një subjekt të ri juridiko-organizativ në Kosovë. Me këtë krijohet një shkallë e re e pushtetit. Natyrisht se me këtë vetëadministrim arrihet tek të drejtat tjera politike që njihen për kombe të ndara apo të pushtuara”, thotë ai.
Sipas tij, kjo krijon elemente të shtetit të minoritet serb në Kosovë.
“Kjo shkallë e organizimit të minoritetit serb është bazë e një autonomie të gjerë vetëadministruese. Ajo dërgon tek subjektiviteti i organizimit me elemente të shtetit të minoritetit serb. Me subjektivitet të tillë rrjedh edhe e drejta e vetëvendosjes deri në shkëputje të subjektit të ri dhe bashkimit të këtij subjekti me një njësi tjetër shtetërore ose mbetet vetë njësi e pavarur. De-facto në Ohër u dha baza e shtetit për komunat me shumicë serbe. Mbetet vetëm organizimi dhe rregullimi juridik i këtij subjekti me ligj”, thekson Kelmendi për Gazeta Blic.
Ai thotë se me këtë Kosovës iu dha goditje dhe shkatërron hirearkinë e pushtetit në Kosovë./Gazeta Blic/