Kosova tashmë ka publikuar listën e lojtarëve të ftuar për ndeshjet kualifikuese të Kampionatit Evropian.
Në kuadër të grupit I, Kosova do të ballafaqohet fillimisht me Izraelin me 25 mars e më pas edhe me Andorën me 28 mars, shkruan GazetaBlic Sport.
Në listën e publikuar nga Alain Giresse nuk mungon as emri i Donat Rrudhanit, lojtar i cili së fundmi ka pasur paraqitje të mira me Kosovën.
Rrudhani ka pasur paraqitje të vazhdueshme me Kosovën duke luajtur në të gjitha pozicionet që i kërkohej madje duke shënuar edhe gol se fundmi ndaj Qipros në kuadër të Ligës së Kombeve.
Donat Rrudhani për ‘GazetaBlic Sport’ ka folur në lidhje me ftesën që ka marr nga Kosova duke thënë se do jetë në dispozicion të trajnerit në çdo pozitë që i kërkohet.
“Ftesa është shumë e rëndësishme për mua. Jam i gatshëm të luaj në çdo pozitë që kërkohet prej meje në mënyrë që ta ndihmoj ekipin, kjo nuk është aspak problem“, tha fillimisht Rrudhani.
Rrudhani u shpreh se beson në kualifikim, por thotë se është e rëndësishme që kampanjën ta nisin mirë.
“Po, besoj në kualifikim, shpresoj që ta nisim mirë me dy fitore dhe më pas si çdo shqiptar shpresojmë që të kualifikohemi”, përfundoi Rrudhani për ‘GazetaBlic Sport’.


