Lajme

Escobar për takimin e Ohrit: Rezultate do të kemi, por ndoshta nuk do të kemi marrëveshje finale

03/17/2023 19:56
nga:Astrit Gashi

I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, para takimit të 18 marsit në Ohër ka dhënë një intervistë për RTV21, në të cilën ka folur për takimin e neserm në Ohër mes kryeministrit Albin Kurtit dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke theksuar se dy palët e kanë kuptuar rëndësinë e ditës së nesërme dhe se për këtë arsye është paksa optimist, përcjellë GazetaBlic.

“Në të dy kryeqytetet, pata një varg takimesh jo vetëm me liderët qeveritarë, por edhe ata opozitarë, si dhe me figura tjera të rëndësishme. Çka mund të kuptoj nga e tërë kjo është se të dy palët e kuptojnë rëndësinë e ditës së nesërme. Të dy palët e kuptojnë se kjo marrëveshje e mundshme mund të çbllokojë shumë mundësi. Pra, jam paksa optimist”, tha Escobar.

Escobar tha se në Ohër do të bëhet fjalë për me finalizimin e aneksit dhe për të ecur përpara me zbatimin.

“Nuk ka të bëjë vërtetë me besimin, por me detyrimet ligjërisht të obligueshme. Absolutisht mendoj se është çështje e realizmit. Pra, të dy palët janë pajtuar me Marrëveshjen Bazë – ato 11 pikët fillestare që janë pranuar, pa ndonjë kusht apo ndryshim dhe tani është çështja e Aneksit të zbatimit. Pra, të gjitha pikët do të përfshihen në Aneksin e zbatimit, por vetëm mbetet se si t’i formulojmë që të bëhen të arritshme. Rezultate do të kemi, por dëshiroj të tërheq vërejtjen se ndoshta nuk do të kemi marrëveshje finale. Do të punojmë drejt përfundimit të Aneksit, por pres shumë përparim.

Ai më tutje theksoi se kushdo që e shikon këtë marrëveshje, nuk mund të mos befasohet se sa larg shkon ajo.

“Sa shumë i hap dyert për të dy vendet që të integrohen më afër në strukturat evroatlantike dhe rrjedhimisht në strukturat ndërkombëtare. Pra, nuk do të them se kjo nuk është një ndërmarrje ambicioze. Kjo është mjaft ambicioze. Kjo do t’i sjellë Serbinë dhe Kosovën më afër njëra-tjetrës, më afër rajonit dhe më afër Evropës. Pra, është mjaft e rëndësishme në shumë aspekte. Pra, kjo nuk është ujdia më e mirë, kjo është ujdi shumë e mirë”, theksoi Escobar.

I pyetur sa a nënkupton kjo se Kosova duhet të bëjë kompromise të tjera, Escobar tha se nuk do ti quante kompromise.

“Nuk do t’i quaja kompromise. Gjëja më e rëndësishme që shpresoj Kosova do të sinjalizojë është se qeveria e Kosovës e pranon detyrimin e saj ligjor për të formuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Kjo është e rëndësishme. Për Serbinë ka shumë kërkesa të tjera nga të gjitha ato përfiton Kosova. Pra, dëshiroj të shoh pranim të detyrimeve dhe Aneksi do të ofrojë mundësi se si të ecet përpara për të gjitha to”, theksoi Escobar.

Në pyetjen se a do të ketë pasoja, nëse refuzohet marrëveshja, tha se më me dëshirë se për pasojat, ai dëshiron të flas për përparësitë nga pranimi i saj.

“E para është se hap dyert për të dy vendet për të ecur më shpejt drejt strukturave evropiane dhe si rezultat duam të shohim mënyrat se si mund të kemi rezultate të menjëhershme. Një gjë që e përmenda me evropianët tani që Kosova e ka liberalizimin e vizave është p.sh. mundësia për të hapur kufijtë ndërmjet Evropës dhe Ballkanit Perëndimor, jo vetëm për Serbinë dhe Kosovën, por për të gjitha vendet e rajonit, që të shfrytëzohet liberalizimi, të shfrytëzohet marrëveshja e nënshkruar në Berlin për lirinë e lëvizjes ashtu që qytetarët e këtij vendi dhe të Serbisë e të rajonit do të mund të përdornin linjat evropiane për të hyrë e dalë nga rajoni; do të mund të përdorni pasaportat tuaja për të kaluar përmes linjave evropiane për pasaportë në Evropë; për të pasur mundësi për t’i kryer ato punë administrative që normalisht do të duhej t’i kryejnë në Evropë – do të mund t’i kryeni këtu dhe të jenë në përputhje me sistemet evropiane. Këtë po e kërkojmë.

Këto dyer hapen me këtë marrëveshje. Sa i përket çka ndodh nëse nuk ka marrëveshje: evropianët kanë sinjalizuar se kjo është rruga e tyre e preferuar për integrim evropian dhe ne e mbështesim plotësisht. Është plan i menduar mirë; është marrëveshje e arsyeshme dhe ka mbështetjen e plotë, jo vetëm të 27 vendeve të Bashkimit Evropian, por edhe të Shteteve të Bashkuara. Ka mbështetjen e plotë dhe nuk do të mund të paramendoja pse dikush do t’ia kthente shpinën një mundësie të tillë të jashtëzakonshme”, qartësoi Escobar.