Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë sot se shpreson në një bisedë të mirë në Ohër dhe për një mundësi për të ecur përpara, duke shtuar se nuk do të shkojë atje me mesazhe, sepse siç tha ai, gjithçka që kishte ia ka thënë në fytyrë përfaqësuesve specialë të BE-së dhe SHBA-së për dialogun, Miroslav Lajçak dhe Garbiel Escobar, transmeton RTV, përcjellë GazetaBlic.
“Unë nuk po udhëtoj në Ohër me mesazhe, por po përfaqësoj interesat e shtetit të Serbisë dhe popullit tonë në Kosovë”, tha Vuçiq, duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari për të komentuar deklaratën e përfaqësuesit special të SHBA-së për Ballkani Perëndimor, Gabriel Escobar, se beson në një rezultat pozitiv të takimit në Ohër dhe me çfarë mesazhesh udhëton në Maqedoninë e Veriut.
Vuçiq ka theksuar se nuk merret me marifete dhe mesazhe, siç bëjnë disa të tjerë.
Ai shtoi se tani mund të pyesë se çfarë ndodhi me atë plan të sajuar që u postua dje, në të gjithë mediat sociale.
“Gënje sa të duash, jam i lumtur që nuk merrem me të, ato marifete kanë jetë të shkurtër, nuk kam ndonjë mesazh të veçantë, gjithçka që kam për të thënë ia kam thënë Miroslav Lajçakut dhe Gabriel Escobarit”, tha Vuçiq.
Ai shtoi se është habitur kur ka dëgjuar se në Ohër do të ketë më shumë se 200 shtëpi mediatike dhe ka thënë se nuk e di se çfarë presin njerëzit.
“Shpresoj për një bisedë të mirë dhe se ne mund t’i lëvizim gjërat, dhe nëse do të ndodhë kjo apo jo, nuk jam shumë optimist. Sa për Serbinë, Serbia është gjithmonë e gatshme të diskutojë zgjidhje kompromisi”, tha Vuçiq.


