Lajme

Nuk respektohet “ultimatumi” i Pecit, duhani pihet si në odë në bufenë e Qeverisë

03/17/2023 15:31
nga:N M

Ligji kundër duhanit në hapësira të mbyllura vazhdon të mos respektohet nga shumica e lokaleve. Por “ultimatumi” nga ministri i Bujqësisë, Faton Peci, se do të ketë tolerancë zero, nuk po respektohet as në objektet qeveritare.

Ekonomia Online ka fotografuar sot në bufenë e ndërtesës së Qeverisë, së njohur si ish-Rilindja, persona duke konsumuar duhan, “si në odë të babës”.

Në këtë ndërtesë janë të vendosura Ministra e Drejtësisë dhe disa ministri të tjera.

Gjatë ditës së djeshme, ministri Faton Peci, ka njoftuar se pas inspektimeve të djeshme në tërë Kosovën janë shqiptuar një numër i konsiderueshëm i gjobave në lidhje me moszbatimin e Ligjit për duhanin.

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci ka kërkuar nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) që duke u bazuar në përgjegjësitë ligjore, si dhe interesimin për funksionalitet të plotë karshi mandatit dhe përgjegjësive që ka, të marrë masa rigoroze kundrejt zbatimit të Ligjit për kontrollin e duhanit, si dhe shtim të aktivitetit të inspektorëve sanitarë në teren.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Bujqësisë, ministri Peci ka thënë se çdo qytetar i Kosovës gëzon të drejtën ligjore që të mbrohet nga ekspozimi ndaj tymit të duhanit. “Nga sot, zero tolerancë ndaj duhanit në ambiente të mbyllura, hapësira publike, të punës, në hapësira të transportit publik dhe në çdo hapësirë tjetër që përcaktohet me Ligjin Nr. 04/L-156 për kontrollin e duhanit”, citohet të ketë thënë Peci.

Ndërkaq, për mos-respektim të ligjit në fjalë si nga personat fizik dhe subjektet juridike, thuhet se do të pasojnë gjobat të cilat gjithashtu i përcakton ligji.

Ligji për kontrollin e duhanit është miratuar në vitin 2013, ndërsa ndryshimet dhe plotësimet në pjesën e Ligjit ku parashihen gjobat, kanë hyrë në fuqi në fillim të vitit 2022.

Sipas Ligjit kundër duhanit, nëse tymoset duhan në hapësirat ku është e ndaluar me ligj, për subjektet afariste gjoba është nga njëmijë deri në tre mijë euro, derisa për personin fizik 30 deri në 50 euro.