Lajme

Redaktorit të televizionit publik i digjet garazhi, RTK kërkon trajtim me urgjencë të rastit nga hetuesia

03/16/2023 21:00
nga:G B

Redaktori i Radio Televizionit të Kosovës (RTK), Alban Selimi ka njoftuar se i është djegur garazhi i veturës ngjitur me shtëpinë e tij në Fushë Kosovë.

Selimi në një reagim në Fb ka shkruar se dikush ka dashur ta frikësojë por se nuk ia ka arritur qëllimin.

Ndërkohë, menaxhmenti i RTK-së thotë se ka pranuar me shqetësim raportet për zjarrëvënie të qëllimshme në shtëpinë e gazetarit hulumtues Alban Selimi.

“Përderisa presim që organet e sigurisë dhe hetuesisë ta trajtojnë me urgjencë këtë rast, e dënojmë ashpër çdo tendencë për frikësim dhe pengim në punën e gazetarëve. RTK mbetet e përkushtuar për raportim profesional të bazuar në fakte dhe secili gazetar e profesionist do të ketë mbështetjen e plotë të menaxhmentit në përmbushjen e këtij misioni”, thuhet në reagimin e menaxhmentit të RTK-së.

Policia e Kosovës ka dalë në vendin e ngjarjes por ende nuk ka dhënë ndonjë qëndrim lidhur me këtë rast.