Zëdhënësi i Komunës së Ferizajt, Selim Marevci, ka dalë me sqarim pasi gjimnazi i parë shqiptar “Ismail Qemali” në Ferizaj, është përfshirë nga zjarri në orët e para të mëngjesit të së martës.
Sipas tij, Komuna e Ferizajt në vazhdimësi ka treguar përkushtimin për funksionalizimin e objektit të gjimnazit të vjetër “Ismail Qemali”.
Ai tha se për të realizuar këtë përkushtim, “e duke ditur koston e lartë që kërkonte realizimi i këtij aktiviteti, komuna ka synuar që këtë ta realizojë në bashkëpunim me partnerët/donatorët ndërkombëtarë, duke aplikuar në thirrjet e hapura për mbrojtjen e vlerave të trashëgimisë kulturore”.
“Në vitin 2021, Komuna e Ferizajt ka aplikuar në Thirrjen e BE-së # EuropeAid/171111/DD/ACT/XK në kuadër të Programit për Bashkëpunim Ndërkufitar midis Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, në kuadër të fondeve IPA. Projekti iHERITAGE në vlerë prej 480,000.00 EUR kishte paraparë restaurimin, konservimin dhe funksionalizimin e këtij objekti duke aplikuar në partneritet me Komunën e Çairit në Maqedoninë e Veriut, duke dedikuar 20% të vlerës totale të projektit në vlerën 80,000.00 EUR”, shkroi ai në Facebook.
Marevci shpjegoi se në atë kohë, projekti kishte kaluar të gjithë hapat e vlerësimit deri në fazën finale kur BE-ja nuk e aprovon financimin e këtij projekti.
Kjo pasi siç shpjegoi ai, “ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, më 3 shtator 2020, kishte marrë vendim për aprovimin e kërkesës së Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Ferizaj të datës 17.07.2019, me numër protokolli 43/2019, për lëshimin e lejes për renovimin dhe restaurimin e objektit të shkollës ‘Jeronim De Rada’ në Ferizaj”.
Por, ai shtoi se “fatkeqësisht, ky vendim ka pamundësuar financimin e projektit iHERITAGE i cili do të mundësonte realizimin e synimeve të komunës së Ferizajt që shumica e fondeve të sigurohej nga BE”.
“Këtu duhet shtuar se në të njëjtën Thirrje të BE-së, në vitin 2021, në kuadër të programit për bashkëpunim ndërkufitar komuna e Ferizajt, e përkrahur nga grupi i ekspertëve të jashtëm ka fituar projektin CBCEcoKid në vlerën prej 423,038.00 EUR i cili ka mundësuar vendosjen e paneleve solare dhe zëvendësimin/vendosjen e proçave efiçientë në katër institucionet publike arsimore në Komunën e Ferizajt”.
“Ky projekt implementohet në partneritet me komunën e Çairit në Maqedoninë e Veriut derisa bashkëpjesëmarrja në financim është 16.67% në vlerën prej 70,000 EUR. Të gjitha janë të dokumentuara, prandaj vetëm të vërtetën, fyerjet janë argumenti më i mirë i nivelit të secilit”, përfundoi ai.


