Lajme

Brnabiq pas takimit me Escobar: I jemi mirënjohës SHBA-së për mbështetjen e dialogut dhe formimin e Asociacionit

03/15/2023 20:57
nga:Astrit Gashi

Kryeministrja e Republikës së Serbisë, Ana Brnabiq, ka biseduar sot me zëvendësndihmës sekretarin e shtetit dhe të dërguarin special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, për procesin e dialogut me Prishtinën dhe bashkëpunimin ndërmjet Serbisë dhe SHBA-së, raporton GazetaBlic.

Siç thuhet në njoftimin e Qeverisë së Serbisë, gjatë takimit me Escobarin, Brnabiq ka theksuar se “qëllimi i Serbisë është ruajtja e paqes dhe stabilitetit dhe forcimi i bashkëpunimit në rajon, si dhe përkushtimi ndaj dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe zgjidhjes së çështje të hapura”.

Brnabiq theksoi “rëndësinë e zbatimit të plotë të marrëveshjeve të nënshkruara deri më tani, mbi të gjitha Marrëveshjes së Brukselit, si dhe rëndësinë e formimit të Asociacionit të Komunave Serbe”, thuhet në njoftim.

Brnabiq ka falënderuar Escobarin për mbështetjen e SHBA-së në dialogun me Kosovën, që po zhvillohet nën patronazhin e Bashkimit Evropian, si dhe për mbështetjen që i japin formimit të Asociacionit të Komunave Serbe.

“Brnabiq dhe Escobar diskutuan gjithashtu për bashkëpunimin e përgjithshëm ndërmjet dy vendeve dhe përmirësimin e mëtejshëm të tij”, theksohet në deklaratë.