Lajme

Pse takimi Kosovë-Serbi do të mbahet në Ohër? – flet kryediplomati maqedonas, Bujar Osmani

03/15/2023 20:05
nga:G B

Kryediplomati shqiptar i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, të martën, më 14 mars, në takim me qytetarët e Shkupit ka folur për rëndësinë e faktorit shqiptar në vend dhe takimin e radhës mes Kosovës dhe Serbisë, ku pritet të diskutohet për planin e zbatimit të propozimit të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve.

“Për një javë në Ohër takohet kryeministri i Kosovës dhe presidenti i Serbisë. Shpresoj për të nënshkruar Marrëveshje për njohje. A e dini pse pikërisht në Ohër? Si mirënjohje për suksesin e Marrëveshjes së Ohrit. Por, edhe si mirënjohje për rolin tonë të ri si shtet në rajon”, ka deklaruar Osmani.

Ministri i Jashtëm Osmani ka numëruar sukseset e partisë së tij, BDI-së në ngritjen e pozitës së shqiptarëve, duke theksuar se kryeparlamentari është shqiptar, ministri i Financave shqiptar, shefi i Diplomacisë dhe shumë kompetenca tjera shtetërore, që vite më parë as që është menduar se mund të udhëhiqen nga kuadro shqiptare.